Mario Balotelli u zyrtarizua sot si lojtari më i ri i Adana Demirspor. Sulmuesi italian do të jetë në tre sezonet e ardhshme pjesë e klubit të elitës së futbollit turk.
30-vjeçari ëndërron grumbullimin në Katar 2022 me Italinë dhe do të bëjë të pamundurën për t’ia dalë. Me komentet negative dhe ofendimet është mësuar, por Balotelli nuk ka duruar më dhe ka reaguar me një postim në rrjetet sociale.
“Kanë ndodhur kaq shumë fyerje ndaj meje dhe siç e dini unë nuk e kam aspak problem të shpreh mendimin tim. Nuk arrij ta kuptoj gjithë këtë inat të italianëve kundrejt meje.
Kombëtarja po zhvillon një Europian madhështor. Unë nuk jam pjesë e skuadrës, pasi djemtë e kanë merituar më shumë se unë grumbullimin me atë që kanë bërë në vitet e fundit.
Gjithsesi, unë nuk e kuptoj pse është e nevojshme të më shkruani “je i mbaruar”, “qëndro në shtëpi”, “nuk vlen fare”, “nuk je italian”…
Ju ka shkuar ndonjëherë mendja që Botërori është një kompeticion i vështirë për t’u fituar, por jo i pamundur për mua? Çfarë do të thoni nëse do e meritoj ftesën?
Mendoni përpara se të shkruani, nuk pështyhet kurrë në pjatën ku ke ngrënë. Sidoqoftë, forca Itali, të gjithë së bashku“, shkruan Balotelli. /abcnews.al