Këtë të premte qeveria dërgoi në Kushtetuese ankimimin për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë në “News Hour” në ABC News u shpreh se është krijuar një situatë ‘atipike’, ndërsa shtoi se qeveria kërkon që të ruhet pavarësia e drejtësisë.
Gjatë intervistës, Minxhozi theksoi se panorama që parashtroi kryeministri Rama për këtë situatë ‘ka sens në funksion të ushtrimit të qeverisje nga ana e mazhorancës që ka fituar zgjedhjet’.
“Është një situatë atipike edhe kjo e sotmja. Nga njëra anë SPAK që thotë se pezullimi vjen si pasojë e një procesi hetimor ndaj saj. Ndërsa Rama sot parashtroi atë që mendonte për rastin Balluku dhe besoj e bëri në një ambient kuptimplotë në Samitin me Komisioneren e Zgjerimit. Pra nga njëra anë drejtësia pretendon të vijojë hetimet dhe të marrë masa dhe në anën tjetër qeveria kërkon që të ruhet pavarësia e saj. Panorama që ndërton Rama ka sens në funksion të ushtrimit të qeverisje nga ana e mazhorancës që ka fituar zgjedhjet. Ai thotë se nëse krijohen situata të tilla i bie që qeveritë mjafton vendime gjykatash që t’ju presin krahët këtyre lloj pushtetesh që me thënë të drejtën janë me rëndësi se burojnë nga një votim popullor. Ndodhemi në kushte kur zonja Balluku ka vendosur të ndjekë rrugën juridike dhe të përfaqësimit politik dhe kjo nuk do të thotë se nga ana e pushteteve të tjera të ketë një lexim të kujdesshëm të situatës. Pasi janë si të thuash situata të reja dhe nuk mendoj se ka një derë më të mirë se Kushtetuesja për të zgjidhur këtë ngërç. Pra them se fakti që qeveria kërkon që duke çuar rastin Balluku në Kushtetuese të interpretojë një situatë që në fakt është një ngërç kushtetues me një pushtet tjetër mendoj që është një lëvizje e duhur. Pra ndodhemi në tryezën e duhur dhe natyrisht afatet e Kushtetueses janë ato që janë, por mendoj që lëvizja e Ramës për të mos e dubluar Ballukun me një zëvendëskryeministër tjetër, ka të bëjë edhe me presionin që qeveria kërkon të vendosë edhe mbi Kushtetuese”, tha ai.
Më tej Minxhozi tha se qëndrimi i Marta Kos ishte një qëndrim i ekuilibruar, duke shtuar se Komisionerja për Zgjerim gjithashtu nënvizoi edhe suksesin që Shqipëria ka arritur duke ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur.
“Në fakt qëndrimi i Kos është një qëndrim i ekuilibruar dhe nënvizon suksesin që Shqipëria ka arritur dukë ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur dhe shton në fund se ky sistem ku jetojmë sot ndërtohet mbi të drejta dhe liri të individit”, tha mes të tjerash ai.
/abcnews.al/

