TIRANË- Vetëm pak pas kësaj deklaratë, kryeministri Edi Rama, siç i jep të drejtë Kushtetuta, dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, një padi kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë, zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Padia e bërë në emër të qeverisë dhe jo emrin personal të zv.kryeministres kërkon shpalljen antikushtetues të vendimit të Gjykatës së Posaçme dhe të SPAK, të cilin e quan një ndërhyrje direkte të drejtësisë në pushtetin ekzekutiv.
“Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Kjo është kërkesa themelore, që do të krijojë precedentin për të tilla raste. Qeveria referohet tek neni 103, pika 3, që thotë se “Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit”. Këtë nen qeveria kërkon ta interpretojë Gjykata Kushtetuese.
Referuar padisë, me vendosjen e masës së pezullimit Gjykata e Posaçme ndërhyri në mënyrë arbitrare në pavarësinë e vetë veprimtarisë së kryeministrit, i cili përzgjedh kabinetin e tij qeveritar.
Ndërsa më konkretisht, qeveria kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-s, për masë ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo pasi qeveria e argumenton si:
“Si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.”
Por vendimi më i shpejtë që kërkohet të merret prej Kushtetuese është pezullimi i vendimit të masës së vendosur nga GJKKO-ja. Nëse Gjykata vendos të heq masën, atëherë Balluku rikthehet në detyrë sërish.” Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në kërkesat e ankimimit të Kryeministrisë. Vendimin Kushtetuesja pritet të marrë brenda 10 ditëve, nga kjo e premte që padia e qeverisë është regjistruar në Kushtetuese dhe për këtë është caktuar relator gjyqtari Sandër Beci.
Ndërkohë, pezullimi i zv.kryeministres ka dhënë efektin e tij të parë, këtë të premte kur ishte parashikuar mbledhja e qeverisë, e cila nuk u arrit të zhvillohej, ndërsa Rama ishte mikpritësi i liderëve të rajonit dhe komisioneres Marta Kos në një samit të rëndësishëm në Tiranë.
Në mungesë të kryeministrit dhe zv.kryeministrit të pezulluar, mbledhja nuk mund të zhvillohet dhe aktet qeveritare nuk mund të firmosen.
Ky është rasti i parë kur Gjykata Kushtetuese do të duhet të vendosë mbi pezullimin nga detyra të një zv.kryeministri dhe ministri njëkohësisht nga Gjykata e Posaçme dhe do të vendosë një precedent për raportet mes pushteteve në Republikën e Shqipërisë.
Megjithatë në Gjykatën Kushtetuese janë ankimuar dhe janë marrë vendime të tjera që lidhen me masa të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Posaçme. Sali Berisha është një prej rasteve kur Gjykata Kushtetuese nuk i ka dhënë të drejtë SPAK dhe Gjykatës së Posaçme për masat e sigurisë ndaj tij, vitin e shkuar për dosjen “Partizani”.
Kreut të PD, Gjykata Kushtetuese i riktheu pasaportën që iu bllokua me vendim të Gjykatës së Posaçme, duke e cilësuar atë një masë jo-proporcionale, dhe gjeti të arsyeshme, duke lënë në fuqi vetëm masën detyrim paraqitje në SPAK që ai vijon ta zbatojë dy herë në muaj.
/abcnews.al


