Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku deklaroi ditën e mërkurë se pavarësisht situatës së vështirë energjetike në vend për shkak të thatësirës por dhe situatës gjeopolitike, nuk do të ketë ndërprerje të energjisë dhe as rritje të çmimit.
Balluku bëri me dije gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë se deri më sot situata është menaxhuar në mënyrën më të mirë, duke bërë që Shqipëria të përballojë me sukses situatën.
Ajo ripërsëriti edhe njëherë se familjet shqiptare dhe biznesi i vogël do të jenë të mbrojtura nga çmimi i energjisë. Ndërkohë theksoi se pritet që situata të përmirësohet në kaskadën e Drini, pasi ditët e ardhshme priten shira.
“Kushte të mira ne konsiderojmë kur të kemi shira në kaskadën e Drinit. Menaxhimi i KEESH ka qenë persistent, është menaxhuar situata mirë. Të gjitha të dhënat që drejtori i KEESH sapo dha tregojnë qartë se kjo situatë po menaxhohet, e gjithë ndërmarrja e KEESH është në krye të detyrës. Ajo që ne garantojmë dhe është e rëndësishme që ta themi është se energjia nuk do të mungojë për qytetarët, qeveria ka marrë përsipër që të mbulojë shpenzimet e shtuara për familjarët dhe biznesin e vogël, kemi mbrojtur dhe 7 mijë për biznesin e mesëm. Çfarë drejtori tha më sipër tregon dhe njëherë të gjithë angazhimin tonë për të ofruar energji pa ndërprerje”, tha Balluku.
/Abcnews.al/