Ballkani mund të rrisë ekonominë e tij përmes investimeve të përbashkëta në linjat e transmetimit të energjisë elektrike dhe gazit. Këto ishin qëndrimet e ministres Belinda Balluku në Forumin e Europës Juglindore për Energjinë mbajtur në Selanik.
Shqipëria ka prezantuar vizionin e saj për projekte rajonale në fushën e energjisë elektrike dhe gazit, në Forumin e Energjisë për Europën Juglindore, që u mbajt në Selanik. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mbajti fjalë në njërin prej paneleve të eventit.
“Në Forumin e Energjisë për Europën Juglindore u diskutua për bashkëpunimin rajonal për krijimin e linjave të interkonjeksonit qofshin këto të energjisë elektrike apo linjave të interkonjeksionit të gazit, të cilat sot kanë rezultuar që janë komponentët më të fortë në të cilat duhet të ngrihet rritja ekonomike e vendeve të Ballkanit”, u shpreh në përfundim të forumit ministrja Balluku.
Por pjesëmarrja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë forum është vlerësuar edhe në një drejtim tjetër, atë të procesit të integrimit europian.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë dhe Maqedonisë të Veriut si dy shtete që presin në muajt në vazhdim për të pasur aksesin në negociata ishte shumë interesante pasi strategjitë e vendeve tona ballkanike janë të ngjashme dhe shkojnë të gjitha në përputhje dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave dhe rregulloreve europiane përsa i përket energjisë në rajonin tonë por në të gjithë Evropën”, tha ministrja Balluku.
Forumi i Energjisë për Europën Juglindore zhvillohet një herë në vit dhe ku palët vendosin piketat për të ardhmen./ABC News Albania 24/7