Balluku me naftëtarët: Po realizojmë ato që ju kemi premtuar

schedule17:10 - 22 Mars, 2019

schedule 17:10 - 22 Mars, 2019

Gjithçka u kanë premtuar naftëtarëve do të realizohet shumë shpejt. Është ky premtimi i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë takimit që zhvilloi në Fier me naftëtarë, ish-naftëtarë dhe përfaqësues të sindikatave të tyre.

Të mos shqetësohen naftëtarët se qeveria ia ka bërë gati projektligjin vetëm durim u kërkon ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Qeveria Rama e ka fokusin tek naftëtarët. Mos harroni që është bërë një projektligj, i cili ka dashur kohë dhe mund. Zbardhja e akteve nënligjore kërkon kohën e saj, rishikimi dhe reformimi i akteve ligjore kërkojnë gjithashtu kohën e tyre. Por ju duhet të vlerësoni vëmendjen e qeverisë që është totalisht tek ju dhe unë ju premtoj që gjithçka thamë sot ne do ta realizojmë shumë shpejt”.

Naftëtarët kanë ngritur shqetësimet e tyre që lidheshin kryesisht me shfuqizimin e ligjit 526, si pengesë për marrjen e vërtetimit nga sigurimet shoqërore, apo nisjen e kompensimit financiar.

Ndërsa përfaqësuesit e sindikatave kanë kërkuar rishikimin e lidhjes së Kontratës Kolektive të punonjësve të Rafinerisë së Ballshit, ngritjen e repartit për sëmundjet e rënda në spitalin rajonal të Fierit dhe ristrukturim të repartit zjarrfikës.

Për të gjitha këto, ministrja Balluku i ka siguruar se shqetësimet e tyre do të shqyrtohen me vëmendje të veçantë, për të gjetur zgjidhjen më të mirë në interes të naftëtarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!