Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh drejtuese politike e qarkut të Dibrës, ftoi sot banorët e Klosit të votojnë Partinë Socialiste dhe kandidaten e saj, Valbona Kolën.
“Klosi ka pasur fatin e keq që mbeti i izoluar për vite me radhë dhe nën udhëheqjen e të njëjtit person që kërkon votën për herë të gjashtë. 24 vite ka luajtur në mënyrë të pamëshirshme Bedri Hoxha me Klosin. Kishte 24 vite kohë t’i tregonte Klosit si bëhen punët dhe nuk bëri asgjë. Por, në këto 4 vite punët i ka bërë Ilmi Hoxha, i cili nën flamurin e PS-së ndryshoi një nga vendet më të prapambetura dhe izoluara që e kishte kthyer Bedriu në këndin e vet të lojërave”, tha Balluku.
Sipas saj, përballë tij sot është një nga mjeket më të mira të qarkut, e cila ka vendosur që jetën e saj ta kalojë në Klos dhe që iu është gjendur të gjithë qytetarëve pranë në çdo moment, sidomos gjatë pandemisë.
“Klosi është një shtëpi që ka nevojë për përkujdesje. Valbona ka eksperiencë në bashki. Ka qenë kryetare e Këshillit Bashkiak për shumë kohë“, shtoi Balluku.
Ajo vuri në dukje nevojën që kjo bashki ka për të pasur drejtimin e duhur për t’u zhvilluar më tej.
“Sot është nga Tirana vetëm 40 minuta, është një lagje e Tiranës. Ka bukuri natyrore. Ka fshatra të tërë që kultivojnë rrush. Vera e bërë prej tij ka filluar të kuptohet si një nga më të mirat e Ballkanit”, tha Balluku.
Sipas saj, Klosi nuk e meriton të kthehet në një eksperiment të një partie që nuk ekziston.
“Klosi është kaq i rëndësishëm për qarkun e Dibrës. Nuk e meriton të izolohet, nuk mund të kthehet në një eksperiment të një partie që nuk ekziston, të një partie që thotë: jemi Partia Demokratike, por ndërkohë kandidojnë si koalicioni “Bashkë Fitojmë“ me Ilir Metën në krye. Demokratët e Klosit nuk dinë më ku të çojnë votën. Si mund të lëmë ne demokratët e Klosit që të izolohen 40 minuta nga Tirana, si mos t’i udhëheqim ne ata, që këtu të bëhen punë të mira, të kemi mundësi që produktet e Klosit të marrin markën shqiptare dhe të tregtohen kudo”, u shpreh Balluku.