Balluku i përgjigjet Vjosa Osmanit: Trau i Rrugës së Kombit nuk është për të na ndarë

schedule19:56 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 19:56 - 21 Dhjetor, 2020

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në Radari Informativ në “ABC” komentoi deklaratën e Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani për traun e pagesave në rrugën e Kombit.

Ndërkohë Balluku u shpreh është e domosdoshme për mirëmbajtjen e rrugës, duke theksuar se sipas saj nuk është synuar që të krijohet ndasi mes qytetarëve.

“Të gjitha trarët që ndodhen në Itali ndajnë Firencen nga Roma? Jo, duhet të paguhet rruga sepse duhet mirëmbajtur. Nuk e kam ndjekur kërkesën e Presidentes, por unë e kam kuptuar se ndoshta i referohet traut të kufirit.

Lexo edhe: A e pagoi tarifën e Rrugës së Kombit? Vjosa Osmani në “ABC”: Barrierë psikologjike

Nëse i është referuar rrugës së Kombit, i them se nuk ka lidhje trau me pagesë, me ndarjen e shteteve. Trau i rrugës së Kombit nuk është për të na ndarë ne dhe kosovarët, por është një autostradë që duhet mirëmbajtur.

Dua të them që nesër kur të ekzistojë një tra nga Miloti në Fier, kjo nuk do të thotë që kemi ndarë Shqipërinë në mes. Është diçka që ndodh në të gjithë botën, që rrugën të mirëmbahet , por do të ketë edhe rrugë alternative”, tha Balluku.

Kujtojmë se Vjosa Osmani e ka konsideruar një barrierë që pengon lëvizjen e lirë mes dy vendeve.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!