Nje ditë vere ndryshe për politikën në Elbasan, me thyerje tabush, dashuri e falje. Lulzim Basha u zgjua i pari këtë të premte për të arritur në qytet. Disa mbështetës i lidhën edhe veroren.
“Për mua Elbasani është shtëpia e dytë, pas Tiranës për një kohë të gjatë edhe shtëpia e parë”
Pasi takoi disa qytetarë, u fsheh brenda Kalasë, për të ngrënë ballokume. Pas tij po vinte Berisha, që ndryshe nga Basha, ia bëri sefte në shesh.
Berisha pa se asnjë deputet i Elbasanit nuk ia vari, por nuk mungonte prurja më e re, ish banori i Big Brother VIP, Armaldo Kllogjeri. Kështu, ai hapi televotimin dhe anuloi zarfin e zi për Dashnor Sulën.
“Sa i përket deputetit, ai vendosi mos dalë në shesh të burrave, por shkoi te Tiku. Mendoj se bëri gabim, por ç’ti bëjmë, ka ende kohë të mendohet.”
Për paqen opozitare mendoi edhe kryeministri Rama. Për te dytin vit radhazi, anuloi në moment te fund vizitën në Elbasan, për të lënë Berishën e Bashën të festojnë me ballokume.
Socialistët nuk e lanë pas dore festën. Drejtuesi politik Mazniku dhe kryebashkiaku Llatja vijuan axhenden e Ramës, por ndryshe nga opozita nuk e përdorën këtë ditë për mesazhe politike.
Sa herë afrojnë zgjedhjet, politikanët zbarkojnë në Elbasan. Por dita e Verës e 4 viteve më parë, nisi me një sherr mes demokratëve e socialistëve në qytet dhe përfundoi me vrasjen e Pjerim Xhuvanit nga grupi i zjarrit të PD disa ditë para zgjedhjeve./abcnews.al