Ballkani në krizë presidentësh

schedule14:08 - 6 Shkurt, 2023

schedule 14:08 - 6 Shkurt, 2023

Pjesë nga libri “E pashë shtetin duke rënë” – Një retrospektivë e vitit të nxehtë 1997 nëpërmjet syrit të një analisti

Nga Frrok Çupi

Edhe orët e fundit të jetës presidenciale, më i shkurtëri mes krerëve ballkanikë – Zhelu Zhelev, i përdori për të thënë disa fjalë që nxisin krizën politike në Bullgari. I futur i tëri në një pardesy të zi, herë si i lumtur e herë si i tmerruar, ai deklaroi se “Nuk do të nënshkruaj emërimin e ndonjë kryeministri socialist”. Paçka se parlamenti bullgar sot për sot është i dominuar prej palës socialiste.

Pika e parë e marrjes së guximit prej krerëve të shteteve ballkanike për të “turbulluar” ujëra në zonat ku sundojnë, është ngjashmëria që gjëjnë tek njëri tjetri. Zoti Zhelev nuk do të ishte krejt i tillë, po të mos kishte të njëjtët homologë në Kroaci, në Bosnjë, në Shqipëri apo në Serbi. Presidentët aktuale të Ballkanit janë më problemorët e të gjitha kohëve. Ngjajnë si pika e ujit me njëri tjetrin.

Tiparet e përbashkëta?

Ndërsa kroati Tuxhman, një komunist i burgosur në periudhën e Titos, kishte mbyllur Radion indipendente “101” në Zagreb, të njëjtën gjë bëri Millosheviçi në Serbi me Radion B 92. Në jug të Ballkanit, Presidenti i Shqipërisë vazhdon te funksionojë me të njëjtin ligj për median elektronike që ka funksionuar pushteti komunist për pesë dekada. Ditët e fundit, në mënyrë “naive” kanë mbirë disa radio dhe televizorë privatë, por vetëm ato që kanë lidhje me shtetin dhe partinë shtet. Projektligji që po përgatitet parashikon të hapen dy televizionë publikë; por në duar të qeverisë.

Në qoftë nuk ka pasur biseda të drejtpërdrejta telefonike mes presidentëve të Shqipërisë, Kroacisë e Serbisë, lidhja mes tyre vjen si shkak i qëndrimeve të njëjta ndaj demokracisë.

Nuk mund të thuash se Presidentët e Ballkanit i lidh apo i konflikton biseda me njëri tjetrin. “Zanati” vjen nga brenda, nga edukimi dhe prirja.

Ndërsa Presidenti kroat manipuloi zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit Zagreb, e njëjta gjë ndodhi në Beograd, në Tiranë dhe në Mostar të Bosnjës. Por ndërsa kroatët e Zagrebit u ngritën në protestë dhe serbët gjithashtu shkundën pluhurin e vjetër të Ballkanit, në Tiranë dhe në Mostar pati më shumë heshtje. Veçanërisht qytetarët e Tiranës heshtën për manipulimin e votave.

Ja se ç’situatë kanë krijuar presidentë të krisur në një hapësirë problematike:

Janar, 1997

LONDRA KËRKON “BLACK OUT” ME TIRANËN

11 deputetë të grupit të laburistëve në Parlamentin anglez, dje lëshuan një Mocion ku i kërkojnë qeverisë dhe më gjërë politikës së Mbretërisë së Bashkuar, që të ndërpresin lidhjet me “qeverinë e infektuar” shqiptare. Shqipëria, përmes modelit të qeverisë, ekspozohet si një “zbulim” prehistorik, me virusin satanik që dikur kishte ndotur botën shtetërore deri afër zhdukjes. Mortaja e korrupsionit të papërmbajtur qeveritar dhe e varfërimit të skajshëm popullor; “shejtanllëku” për të peshkuar në hedhurinat e historisë fajdetë piramidale, me qëllim grabitjen shtetërore të individëve; pjesëmarrja hapur në trafikun e armëvë, drogës, klandestinëve, karburanteve dhe helmeve – këto shenja kanë dalë në skopinë që i bëri Bota organizmit të sëmurë shtetëror.

Sapo shqiptarët dhanë larmin për fatkeqësinë e tyre, më anë të demonstratave masive, menjëherë qytetërimi i përparuar mbylli qepenat në drejtimin e Shqipërisë. Këtë e njoftoi Anglia, por ka njoftuar edhe Italia, Franca, Gjermania dhe Amerika edhe pse e angazhuar hap pas hapi. Edhe burrat më të “dashuruar” pas Berishës deri në dobësi njerëzore, si anglezi Xhefri Pati, etj., tani ndiehen të turpëruar dhe para përgjegjësisë për papërgjegjësinë e treguar.

Pse është mbështetur qeveria shqiptare përballë popullit të revoltuar, kur Perëndimi kishte mjaft të dhëna mbi “mortajën” e qeverisë shqiptare, sipas lordëve anglezë?! Kjo është, në esencë, kërkesa që po bën brenda për brenda politika Perendimore, duke vështruar nga larg Shqipërinë.

Ndërkohë që politika zyrtare shqiptare, kishte gënjyer me tonelata, sikur Perëndimi po pikonte në mjaltë për zbulimin “Berisha”. Mashtrimi i gjatë na kushtoi kaq shumë. Tani kur në vend të Zairesë apo Ruandës, në ekrane apo gazeta, bota gjenë “Albania”, ne ndodhemi nën rrezikun e izolimit të frikshëm.

Civilizimi përparimtar do të përpiqet të mbajë qeveritë e veta larg shembullit të Shqipërisë, me qëllim që të mos u infektohet shteti.

Shkurt, 1997

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!