“Ballkani më i rrezikuar se kurrë”, Mediu: Jemi në “luftë” me Iranin, qeveria s’ka bërë asnjë analizë

schedule20:01 - 30 Shtator, 2022

schedule 20:01 - 30 Shtator, 2022

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka ngritur shqetësimin për prezencën e influencës ruse dhe kineze në Ballkan. I ftuar në “Radar Informativ” me Juli hokaxhi, Mediu tha se rajoni është i rrezikuar nga lufta më shumë se kurrë ndonjëherë, ndërsa sjell në vëmendje zhvillimet në veri të Kosovës dhe deklaratat e Valdimir Putinit.

“Kina dhe Rusia janë shumë prezentë në Ballkan. NATO është keqkuptuar. NATO nuk vepron pa një konsensus. Ne jemi vend anëtar por për të arritur te veprimet e përbashkët duhet të bëhemi pjesë e një debati paraprak. Serbia po shpenzon 3% të buxhetit për armatime. Kemi një qëndrim të prerë të Putinit që bëri paralelizëm të Kosovës dhe Ukrainës. Zinxhiri i veprimeve do të jetë problematik për shqiptarët. Ke tensione në Mal të Zi. Qasja e Malit të Zi po shkon drejt Serbisë dhe jo NATO-s.

Kemi tensione në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës thotë që ka kërcënim për luftë. Nuk duhen marrë si lojëra lufte kalamajsh. Janë veprime. Ky duhet të jetë shqetësimi ynë maksimal. Potenciali i luftës në Ballkan është sot më prezentë se çdo herë tjetër. Tendencë e Putint për të hapur vatra të reja lufte”, tha ai.

Lidhur me situatën ne vendin tonë, kreu i PR tha se jemi në “luftë” me Iranin dhe se qeveria nuk ka bërë asnjë analizë. Mediu nënvizoi rëndësinë e një institucioni të konsoliduar për sigurinë kombëtare.

“Duhet të kemi një politikë të konsoliduar sigurie. Një analizë, rrisqet e mundshme që kemi. Ne nuk dimë kush investon në Shqipëri. Mund të shfaqen amerikane dhe të jenë ruse. Ne kemi pasur një rezistencë të jashtëzakonshme të Kinës në Shqipëri. Kemi nevojë për një analizë të thellë të çështjeve të sigurisë në Shqipëri.

Kemi një Këshill Sigurie, por është organ konsultativ. Kemi nevojë për një Agjenci të Sigurisë Kombëtare.

Ne jemi në luftë me Iranin sot. Keni parë të bëhet ndonjë analizë? Njëra opalë thotë jemi mirë. Kam qenë në SHBA dhe të gjithëve na thanë i lumtë Shqipërisë që ka mbajtur këtë qëndrim. Por mjafton kjo? Jo. Ne duhet të ndërtojmë atë që është e qëndrueshme për ne. Sulmi kibernetik mund të përsëritet.

Ka ardhur koha që qeveria duhet të paraqesë në Kuvend të gjithë problematikën që ka të bëjë me sigurinë”, tha ai. g.v/abcnews.al