Balla: Sqarova në Prokurori se nuk kam patur kurrë kontakt me Alizotin

schedule11:06 - 18 Tetor, 2018

schedule 11:06 - 18 Tetor, 2018

Duket se po i kthehet në rutinë kryetarit të grupit parlamentar socialist përpjekja për të zbardhur të gjithë morinë e akuzave që i drejton opozita.

Taulant Balla ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pas padisë që dorëzoi ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, deputetit Ervin Salianji dhe ish-drejtorit të Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, për çështjen “Babale 2”.

“Deklarova pranë prokurorit që shtetasin Alizoti as nuk e kam takuar ndonjëherë dhe as nuk ka arritur ky person të ketë ndonjë lloj komunikimi, qoftë verbalisht, qoftë përmes telefonit me mua”.

Për Kallzim të rremë të kryer në bashkëpunim dhe shpifje e ka bërë kallzimin penal numri dy i Partisë Socialisre ndaj Lulzim Bashës, Ervin Salianjit dhe Florenc Hoxhës, një çështje që do ti shkojë deri në fund premton Taulant Balla.

“Unë nuk kam asnjë dyshim që unë përbëj një halë në sytë e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Ju deklaroj të gjithë shqiptarëve se unë do ti shkoj në fund të gjithë këtyre akuzave të bëra në një hark kohor kaq të shkurtër, brenda tre muajve, fotografi të publikuara dhe të realizuara me fotoshop, video të realizuara me montazhe dhe sigurisht video-përgjime apo audio-përgjime pafund”.

Fondi i edukimit do të mbledhë paratë e fituara nga gjyqet që pretendon ti fitojë kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, por duket se do të mungojnë ato të ish kryeministrit Sali Berisha.

“Për z. Berisha do ishte pak që ta çoja në Prokurori apo Gjykatë për maskimin përmes “qytetarit digjital”. Ne tashmë e kemi marrë një vendim për të dërguar në Gjykatë dhe Prokurori këdo, madje edhe ndonjë përfaqësues të ndonjë media të caktuar që duan të bëjnë politikë me shpifje. Pra, unë dua të them që edhe z.Berisha duhet të jetë pjesë e këtyre kallëzimeve por unë personalisht Saliut i kam lënë Zotin.”

Taulant Balla dëshmoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas kunatit të Babales, Fredi Alizoti, që pretendon se është takuar edhe nga kryetari i grupit parlamentar socialist, i cili sipas tij i ka premtuar para për të ndryshuar versionin e ngjarjes./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!