Balla paralajmëron PD: Duroni, këto ditë zbulohen lidhjet me 613 kg kokainë

schedule16:39 - 22 Maj, 2018

schedule 16:39 - 22 Maj, 2018

Në ditët në vijim priten të dalin të dhëa të reja mbi lidhjet e personave me 613 kilogramëve kokainë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se me këtë ngjarje janë implikuar persona të rangjeve më të larta të Partisë Demokratike.

Pas akuzës që kryeministri Edi Rama bëri në ABC News se pas 613 kilogramëve kokainë të kapur në Durrës fshihen zyrtarë të lartë të PD-së është kryetari i grupit parlamentar socialist që bën paralajmërimin e radhës.

Taulant Balla: “Ne e dimë mirë që Basha në këtë aventurë të rrezikshme është futur nga Berisha për një arsye që ka të bëjë me 613 kilogramë kokainë. Prisni e duroni, ditët në vijim do jenë shumë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kilogramë kokainë me persona të rangjeve më të larta të PD”. 

Taulant Balla vazhdon t’i qëndrojë deklaratave se audiopërgjimi i publikuar nga Partia Demokratike është një kasetë e stisur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Taulant Balla: “Loja e ka kush e ka për autorin e përgjimit që Luli thotë e ka Babalja, ky thotë e ka gazetari dhe gazetari thotë se përgjegjësin e ka PD. Autorësia e përgjimit të ngelet jetim në prehrin e Saliut dhe me këtë histori Saliu po na del me tre djem, Shkëlzenin, Lulin dhe Babalen. Basha është i futur në një aventurë Don Kishoteske nga vetë Saliu për një përgjim, i cili duket ditën për diell që është një kasetë e stisur e një bisede që nuk ka ndodhur kurrë mes Babales dhe vëllait të ministrit”.
Për t’i shkuar deri në fund historisë, kreu i grupit parlamentar socialist i kërkon prokurorisë që ta zbardhë.

Taulant Balla: “Thirrja ime është ndaj Prokurorisë, që në mënyrë sa më të shpejtë dhe në kohë të shkurtër nga çdo laborator i çdo vendi partner të Shqipërisë, të bëjë ekspertizën dhe të nxjerrë përfundimin cilido qoftë ai. Historia e përgjimit po dëmton Shqipërinë në rrugën drejt integrimit. Kjo nuk i bën mirë Shqipërisë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!