Grupi më i madh parlamentar në Gjermani, ai i deputetëve të koalicionit qeverisës CDU/CSU ka miratuar dje pasdite një dokument që mbështet në parim hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, por me një sërë kushtesh që vendi ynë duhet të plotësojë, në të kundërt procesi do të ndalet e madje mund të braktiset.
Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ndodhet në Gjermani, komentoi për ABC News këtë vendim. Ai theksoi se socialdemokratët ishin në mbështetje të fillimit të bisedimeve ndërsa, vetëm një numwr i vogël deputetësh i CDU/CSU-së ishte kundër fillimit të negociatave.
“Vetëm një numër i vogël deputetësh të CDU/CSU kanë qenë kundër fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë. Në grupin tjetër atë të social demokratëve vendimi ka qenë unanim në mbështetje të fillimit të bisedimeve për integrim. Jam shpresëplotë që të Gjelbrit, të cilët janë në opozitë dhe të majtët do ta mbështesin këtë vendim, të cilin nuk ngurroj ta quaj historik, po të kemi parasysh rëndësinë që ka Gjermania si vendi me ekonominë më të madhe dhe vendimmarrjen më të rëndësishme në kuadër të BE.
Qeveria para se të shkojë në Këshillin Europian për vendimmarrje të fillimit të bisedimeve kërkon që Qeveria Federale të marrë dakordësinë e Bundestagut. Kancelarja Merkel në Këshillin Europian ka dakordësinë edhe të Bundestagut për t’u shprehur për fillimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim”, tha Balla./abcnews.al