Balla me përfaqësuesin e OSBE: 30 Qershori afat i panegociueshëm

schedule15:35 - 28 Maj, 2019

schedule 15:35 - 28 Maj, 2019

Numri dy i socialisteve Taulant Balla i  tha zyrtarit te asamblesë parlamentare të OSBE, Andreas Nothele se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do te negociohen me opozitën. Sipas Balles, këtë nuk e lejon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Shqetësimin e tij Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ia tha edhe me kryetarit të Zyrës Ndërlidhëse të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Vjenë, ambasador Andreas Nothele.

Ai shprehu domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës në përcaktimin e 30 Qershorit si një afat i panegociueshëm për përfundimin e mandatit të organeve të pushtetit vendor.

Ambasadori Nothele nga ana e tij deklaroi se integriteti i institucioneve nuk duhet diskutuar dhe se debatet politike duhet të zhvillohen në institucionet e zgjedhura demokratike.

Ndërsa, lidhur me incidentin ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE, ambasadorit, Bernd Borchardt, kreu i grupit parlamentar socialist i kërkoi ndjesë si qytetar dhe si deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Balla: “Është për të ardhur keq që opozita sulmon ambasadorët apo përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian apo Parlamentit Evropian, sa herë ata flasin mirë për Shqipërinë”.

Duke folur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Taulant Balla shprehu bindjen se pavarësisht situatës politike të krijuar në vend, Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik, pasi pritet që në mesditën e kësaj të mërkure Komisioni Evropian të rekomandojë ashtu si para një viti fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes BE-së dhe Shqipërisë, bashkë me Maqedoninë e Veriut./ABC News Albania 24/7