Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla deklaroi gjatë fjalës së tij në foltoren e kuvendit se në mandatin e tretë socialistët synojnë dhënien e shërbimeve online për shmangien e korrupsionit. Balla u shpreh se kundërshtari më i madh në zgjedhje ishin zyrtarët e shtetit që nuk ka kryer siç duhet funksionin e tyre. Ai deklaroi se në muajin shtator, kuvendi i ri do të rinisë punën e lënë në mes për reformën zgjedhore, duke cekur financimin e partive politike dhe fushatës zgjedhore.
“Vendet që janë në krye të listës botërore me më pak korrupsion janë vende ku procesi i aplikimit për leje bëhet tërësisht online dhe janë shmangur kontaktet. Beteja jonë kryesore është për të çliruar vendin nga të korruptuarit. Kundërshtari më i madh në zgjedhje ishin zyrtarët e shtetit që nuk i kanë dhënë shërbimet si duhet qytetarëve shqiptarë.
Garantimi që çdo qindarkë të investohet me cilësi duhet ta rishikojmë gjatë mandatit të ri procedurat e tenderave publikë që çdo qindarkë të shkojë te investimi publik. Falenderoj kuvendin që brenda një kohe të shkurtër e kaloi ligjin me një procedurë të përshpejtuar. Në Shqipëri kushdo që ka dëshirë të rinumërojë votat apo të rishikojë procesverbalët e ka mundësinë. Besoj se të gjitha partitë politike e kuptojnë që ky është një proces tejet demokratik.
Është në dinjitetin e garuesve jo vetëm ta njohin rezultatin por menjëherë në shtator të vijojmë së bashku për vijimin e reformës zgjedhore të lënë në mes. Koha kur në Shqipëri zgjedhjet në nivelet e para të dyta administrohen nga numërues politikë duhet të marrë fund në zgjedhjet që lamë pas.
PD sabotoi me dashje votat e emigrantëve. Në Estoni votimi bëhet online ndërkohë që nga ajo që pamë në Tiranë në njësinë nr. 10 mbetet për t’u vlerësuar që kjo mënyrë votimi të thellohet në një pjesë më të madhe të territorit. Reforma zgjedhore duhet të përfshirë edhe një pjesë tjetër, që do e vijojnë në shtator që është financimi i partive politike dhe fushatës zgjedhore.
Kam parë paratë e shpenzuara nga ana e kandidatëve në rrjetet sociale dhe dua të them që është një fushë që nuk mbulohen sot nga ligji ynë për financimin. Duhet t’i japim KQZ-së instrumentet për ta monitoruar dhe për të vendosur pragje të një niveli shpenzimesh të lejuara”, deklaroi Balla./ mv.abcnews.al

