Balla: Javën tjetër mbledhjet fizike me certifikatë vaksinimi, PD me shpirt të trazuar

schedule11:36 - 29 Shtator, 2021

schedule 11:36 - 29 Shtator, 2021

Partia Socialiste tërhiqet. Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla ka deklaruar se nga java tjetër mbledhjet mund të bëhen fizike vetëm me certifikatë vaksinimi. Në një konferencë për mediat, Balla sqaroi se vaksinimi për deputetët duhet të jetë i detyruar dhe se për këtë kanë rënë dakord edhe me PD.

Sipas tij, nisur nga situatat në mbledhjet e komisioneve, ku PD ka kërkuar të jetë fizike, Balla tha se do t’i propozojnë Konferencës së Kryetarëve që javën tjetër mbledhjet të bëhen tradicionale, me kushtin e vaksinimit.  Megjithatë, nuk la pa thumbuar edhe deputetët e PD, të cilët i quajti “shpirtra të trazuar” për shkak të problemeve të brendshme në parti.

“Prej javës tjetër do të kemi mundësinë që të gjithë deputetë e PS do të jenë të vaksinuar. Shpresoj që edhe PD. Duke filluar nga java tjetër do ti propozojmë Konferencës së Kryetarëve që mbledhjet të zhvillohen duke respektuar distancat por çdo deputet duhet të deklarojë certifikatën përkatëse të vaksinimit.

Unë mendoj që koha që u fitua gjatë kësaj jave ishte një kohë për shkak se axhenda parlamentare ishte e tillë që të kërkonte mirëkuptim nga ana e PD. E kuptoj që hallet brenda në shtëpisë shtyjnë që të krijojnë problematika të panevojshme. Praktika e zhvillimit të mbledhjeve të komisineve online për raste të caktuara do të vijojë, për sa kohë që bëhet fjalë për çështje të një rëndësie jo shumë të veçantë. Për të konkluduar do u bëja thirrje shpirtrave të trazuar në PD që kjo çështje është e qartë. U bëj thirrje deputetëve që nuk e kanë kryer detyrimin për tu vaksinuar.  Dhe javën tjetër Konferenca e kryetarëve besoj se do u japë dritën jeshile të kalimit në formën tradicionale.

Besoj se për këtë çështje duhet të shprehet edhe PD. Kemi rënë dakord që pjesëmarrja duhet të jetë me certifikatë vaksinimi. Do i lutesha opozitës që të mos harxhojmë kohë kot me këtë çështje. Kam dëgjuar që nga ana e PD do ketë një sërë kërkesash për komisione hetimore. Dëshira jonë e kemi thënë që kjo legjislaturë e re të fillojë punë mbarë,” tha Balla.

Mbledhjet e komisioneve parlamentare gjatë kësaj kanë sjellë përplasje, pasi PD ka kërkuar që të jenë me prani fizike, ndërsa mazhoranca i zhvillon online. Deputetëve të opozitës nuk u është dhënë fjala, ndërsa në komisionet e drejtuara prej tyre mazhoranca nuk është paraqitur. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!