Në përfundim të Kongresit të Partisë Socialiste që u zhvillua këtë të shtunë në Pallatin e Kongrese, Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, Taulant Balla mbajti deklaratën përmbyllëse. Ai theksoi se PS-së i lind detyra të vazhdojë punën përpara duke parë që opozita në papërgjegjshmëri ka krijuar një ngërç artificial.
Balla theksoi gjithashtu se ky Kongres vendosi piketat për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, por edhe për ato të vitit 2021.
“Sot në Kongresin e PS ne erdhëm me bindjen e përforcuar se jemi e vetmja forcë politike që mund të qeverisë vendi duke garantuar një ekonomi të qëndrueshme, punësim, shërbime ndaj qytetarëve, drejtësi sociale dhe integrim në familjen e përbashkët evropiane. Të vetëdijshëm që opozita në papërgjegjshmëri të plotë politikë ka krijuar një ngërç artificial duke braktisur institucionet kushtetuese të vendit, na lind detyra të besojmë pa asnjë dallim masën e gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë për vendin e tyre, një të ardhme evropiane me më shumë oportunitete për gjeneratat që do vijnë. PS në këto 5 vite e gjysmë është krenare për qeverisje dhe njësoj e vetëdijshme për sfidat në vazhdim.
Ky Kongres vendosi piketat për përgatitjen e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të Qershorit 2019 dhe sigurisht edhe për zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2021”, tha Balla.
Ndërkohë për sa i përket ftesës që bëri sot kryeministri ndaj opozitës, Balla tha se ajo ishte shumë kuptimplotë.
“Kryeministri ishte shumë i qartë. Ftesa jonë për opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje ishte shumë kuptimplotë. Të marrin pjesë në zgjedhjet vendore në rast se fitojnë një bashki më shumë se ne jemi të gatshëm për të përmbushur kërkesat e tjera të opozitës”, u shpreh Balla./abcnews.al