“Bajri”, lihen në burg 3 anëtarët e tjerë të grupit

schedule11:31 - 25 Shtator, 2018

schedule 11:31 - 25 Shtator, 2018

Tre persona të tjerë të arrestuar nga operacioni “Oaz” si anëtarë të grupit “Bajri” u lanë në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata konfirmoi masën e dhënë për ta në mungesë. Në të njëjtën seancës togat e zeza caktuan një masë të tretë “arrest në burg” brenda dy ditësh për Safet Bajrin për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.

Gjykata për Krimet e Rënda la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për tre personat të tjerë të arrestuar në Shqipëri si anëtarë të grupit “Bajri”.

Një ditë pasi verifikoi masën e marrë në mungesë për gjashtë të parët, para gjyqtares Ilirjana Olldashi dolën të arrestuarit Ismet Idrizi, Denis Brajoviç dhe Klaudio Hoxhalliu.

Burime brenda seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura konfirmuan se të dyshuarit kanë kundështuar masën e caktuar. Përmesa avokatëve ata kanë pretenduar se masa ekstreme “arrest në burg” nuk është e përshtatshme në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre, argumente që nuk bindën gjykatën.

Në të njëjtën seancë para Krimeve të Rënda ridoli Safet Bajri, i arrestuar si një nga njerëzit kryesor të grupit kriminal. Pas dy masash sigurie “arrest në burg” caktuar të hënën nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër dhe e Krimeve të Rënda, ai mori një të tretë të njëjtë për akuzën e “armëmbajtjes pa leje” dhe “mbajtjes së narkotikëve”. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për një pistoletë e gjetur pranë tij mbrëmjen e arrestimit si edhe një sasi prej 7 gramë kanabis.

Në seancat e zhvilluara të hënën dhe të martën gjykata konfirmoi masat “arrest në burg” për nëntë të arretuarit në Shqipëri për llogari të operacionit “Oaz”. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda 11 të arrestuarit, dy prej të cilëve në Roterdam, Holandë, në role të ndryshme, akuzohen për 10 vepra penale, mes të cilave “vrasje”, “trafik droge”, “gjobëvënie”, “trukim ndeshjesh sportive” dhe “pastrim parash”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!