Bajrami, tjetër gol rekord/ Futbollisti “kuqezi” shënoi për 55 sekonda me Rangers në Europë, “fantazisti” zgjidhet më i miri i ndeshjes

schedule16:16 - 27 Shtator, 2024

schedule 16:16 - 27 Shtator, 2024

Golat normalë nuk bëjnë për të. Nuk shënon shumë, por kur e bën ose dhuron spektakël, ose vendos rekorde.

Nedim Bajrami godet sërish me rrjetën e parë me Glasgow Rangers. Futbollisti “kuqezi” shënoi që në minutën e parë në fitoren 2-0 në transfertën e Malmo në Europa League, teksa vetëm 55 sekonda nga nisja e sfidës, Bajrami kaloi në epërsi skocezët, duke u bërë lojtari i parë që shënon gol që në minutën e parë për Rangers, pas Gennaro Gattuso. në vitin 1998.

Përveç realizimit, futbollisti i kombëtares shqiptare, ndihmoi ekipin e tij në suksesin 2-0 në daljen e parë europiane në këtë sezon derisa u zëvendësua në minutën e 84’-t, me golin dhe paraqitjen në përgjithsësi i dhanë notën më të lartë, duke e zgjedhur edhe “Lojtarin e Ndeshjes”.

Të gjitha këto nuk mund të mos e bënin të lumtur Bajramin.

“Ishte shumë e veçantë për mua të shënoja dhe të ndihmoja ekipin me gol. Ne duhet të ecim përpara sepse shumë ndeshje na presin. Jam shumë krenar për këtë gol. Bëmë presing të mirë dhe topi erdhi tek unë dhe shënova”,- u shpreh fantazisti pas fitores.

Nedim Bajarmi mban rekordin e golit më të shpejtë në historinë e finaleve të Kampionateve Europianë, pasi shënoi pas vetëm 23 sekondash në ndeshjen kundër Italisë në “Euro 2024”.

Ai transferua te Glasgow Rangers në ditën e fundit të merkatos së verës, ndërsa impakti i tij në skuadrën skoceze ishte i shkëlqyer me një asist në dy ndeshje në kampionat dhe gol që në debutimin e tij në Ligën e Europës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!