U mendua se suksesi në derbi do t’i bënte që të fluturonin. Nuk ndodhi kështu me rekordmenët e titujve në Skoci, futbollistët e Gllazgou Rejnxhërsit, që u ndalën në barazim në ndeshjen e radhës në kampionat.
Me Nedim Bajramin në përbërje, të mbiquajturit “rojtarët e pyllit” apo policët, nuk arritën më shumë se rezultati 3-3 në fushën e Hibernianit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ishte i dalluar në fushë, të paktën duke ndihmuar në krijimin dhe shënimin e golit të dytë, për avantazhin e përkohshëm 2-0.
Për fat të keq, fitorja nuk u ruajt, dhe triumfi 3-0 ndaj Sëlltikut një ndeshje më pak sikur e ka humbur vlerën, pasi Rejnxhërsi mbetet shumë larg kryesuesve të Premier Ligës skoceze.
Duke mbetur në Mbretërinë e Bashkuar, nëse zbresim pak në jug, Anis Mehmeti pati një tjetër paraqitje të mirë në ligën e dytë angleze.
Bristol Siti fitoi 1-0 në fushën e vet ndaj Derbi Kauntit, falë golit të shënuar nga Ljuk Meknelli që në 19’. Edhe pse bëri disa gabime, sërish kontributi i tij ishte i rëndësishëm në sulm e në mbrojtje.
Mehmeti, që ka shënuar 9 gola e ka shërbyer një asist në 25 ndeshje në Championship, krijoi të paktën një rast të pastër që duhej të ishte konkretizuar. Ai ka qenë në formë shumë të mirë javët e fundit.
Në Turqi, i rëndësishëm u tregua sulmuesi i Kombëtares, Taulant Seferi. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut arriti të shërbente pasimin për golin e barazimit 1-1 që ekipi i tij, Bodrumspor arriti në ndeshjen direkte për mbijetesë ndaj Kajserisporit. Asist me fat, ndërsa Bodrumspor është në vendin e 17-të në Superligë.
Ndërkaq, në Itali ka shkëlqyer një futbollist i ri shqiptar. Dario Daka shënoi në ndeshjen e kampionatit të Shpresave që Leçe e fitoi 3-0 ndaj moshatarëve të Kaljarit. Për këtë arsye, ai mori notën 7.5, duke qenë më i miri në fushë bashkë me shokun e ekipit, Ado. Kapiteni i skuadrës puljeze shënoi në 31’, dhe ky ishte goli i dytë i sezonit.