Përkthyesi i njohur i letërsisë hispanike, Bajram Karabolli, ka rrëfyer në “Refleksione” në ABC odisenë e emigrimit të tij drejt Argjentinës në pranverën e trazuar të vitit 1997. Pas largimit i maskuar nga Vlora, për shkak se njihej për lidhjet e tij me qeverinë e Berishës, Karabolli kujton se e vetmja gjë që i shkonte në mendje ishte të ikte sa më larg atdheut.
“Unë e kam përjetuar jashtëzakonisht atë përballje në vitin 1997. Nuk ishin thjesht paratë, humbja e parave. Ishte një betejë mes ish komunistëve dhe qeverisjes së re, sistemit të ri. Natyrisht që kishte gabime në qeverisjen e kohës, por padyshim që faktori politik ndikoi në rritjen e zemërimit popullor. Dhe një muaj pasi erdha i maskuar në Tiranë, mendova vetëm largimin. Fatmirësisht dy djemtë nuk ndodheshin në Shqipëri. I madhi ishte me studime në Kiev, ndërsa i vogli ishte në Greqi, te dajat. Na ndihmoi fati se kishim ende pasaporta diplomatike ngaqë unë kisha shërbyer në ambasadën shqiptare në Varshavë, në Poloni”, kujton Karabolli.
Por, teksa ishte në kulmin e dëshpërimit dhe frikës, në mendje iu shfaq një histori e hershme, ndaj dhe kërkoi largimin drejt Argjentinës, në Buenos Aires.
“Për herë të parë mendova ta braktisja vendin tim. I them sime shoqeje: Do ikim. Ikim në Argjentinë. Një motiv ishte dramatik, nga ajo që po ndodhte në atdheun tim. Ishte një dëshpërim i jashtëzakonshëm. Ndërkohë, që në anën tjetër, ishte diçka romantike që më bëri të zgjidhja Argjentinën”, ka rrëfyer Karabolli. Ai ka kujtuar se në historia që i kish mbetur në zemër kish nisur në vitin 1970 kur kish qenë mësues në Bashaj të Vlorës, fshati i parafundit përpara se të mbërrish në Tepelenë.
“Në atë kohë, u përfshiva në një ekip kontrolli në shkollën e Vërnikut, që ishte fshati i fundit i Vlorës. Kur futem për kontroll, teksa po bënim konkulzionet e kontrollit, vjen një i moshuar, që më bëri përshtypje nga uniforma, por sidomos nga mënyra se si fliste. Dhe kur më pyeti, teksa më dëgjoi mbiemrin Karabolli, më ftoi për darkë në shtëpinë e tij. Kishte një shtëpi të thjeshtë nga jashtë, por shumë të veçantë nga brenda. Ishte një arredim ndryshe, dhe me shumë fotografi. Aty pashë një fotografi që e kisha parë që kur isha në gjimnaz. Fotografi kryesor i Vlorës, karshi muzeut, ishte në vitrinë një fotografi një gocë e bukur bionde që puthte në faqe një burrë plak.
Po të kemi parasysh, ishim në vitet ’60, dhe kjo fotografi e veçantë më tërhoqi mua dhe shokët. Ishte një lloj rënie në dashuri. Por, papritur këtë foto që e kisha parë në mes të Vlorës, e pashë në shtëpinë e tij. Edhe kafja që na u shërbye ishte me një aromë tjetër. E pyeta, dhe më tha që është kafe që vinte nga Argjentina. Në atë moment e pyes të zotin e shtëpisë për vajzën. Më tregoi që ishte e mbesa, vajza e motrës. Kunati i tij kish emigruar në Argjentinë në vitin 1923. Sadik Bleta. Ishte pjesëtar i familjes më të madhe në atë fshat. Dhe ai ish martuar me motrën e tij, ku kishin katër fëmijë, një prej të cilave ishte vajza që shihja unë në foto”, ka rrëfyer Karabolli për Refleksione në ABC.
Për përkthyesin e njohur të librave të Borgesit, Sabatos, Rulfos, Bolanjos dhe të shumë autorëve të tjerë, udhëtimi ka qenë me fat, pasi përveçse Argjentina u bë shkak që ai të sillte në shqip autorë të mrekullueshëm të letërsisë, por edhe të takonte vajzën që kish parë në foto, edhe pak në mënyrë paradoksale.
“Me mbërritjen atje morëm statusin e emigrantit politik. Nga aty u interesuam që të takoheshim me përfaqësues të shoqatës “Skënderbeu”, që ishte themeluar nga Sadik Bleta. Ai në kohën e diktaturës ishte bërë mik me diktatorin Hoxha. Dhe kish ardhur me familjen disa herë në diktaturë. Pas vdekjes së Sadikut shoqatën e drejtonte e bija, Eva. Ajo ishte pikërisht vajza që unë kisha parë në foto. Kur u takuam, i thashë ‘Ke qenë shumë e bukur!’. ‘Unë jam e bukur ende!, ma ktheu ajo. Dhe nga ai çast ne u bëmë miq, edhe pse në fillim ajo u zemërua se unë i shava diktatorin Hoxha, të cilin i ati i saj e kish pasur mik. Megjithatë, pas shumë rrëfimeve, edhe ata nisën të shihnin ndryshe historinë tonë”, kujtoi përkthyesi Bajram Karabolli në “Refleksione”.
/ Abcnews.al