Bajram Begaj betohet si President i ri i Shqipërisë

schedule18:04 - 24 Korrik, 2022

schedule 18:04 - 24 Korrik, 2022

Bajram Begaj do të jetë Presidenti i 8-të i Shqipërisë, pas përmbysjes së diktaturës komuniste.

Kreu i ri i shtetit, u betua sot para Kuvendit të Shqipërisë, ku do të mbajë detyrën e tij si president i republikës për 5 vitet e ardhshme. Begaj do të pasojë në këtë detyrë Ilir Metën, i cili u zgjodh si President i republikës në vitin 2017-të.

Bajram Begaj u zgjodh president i ri i Republikës në datë 4 Qershor me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Begaj u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë në raundin e katër, dhe erdhi si propozim i mazhorancës në pushtet.

Kush është Bajram Begaj

Bajram Begaj ka lindur më 20 Mars 1967, ai është një oficer ushtarak shqiptar, i cili po shërben si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Ai më parë ka shërbyer si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.

Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë. Ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!