“Babale 2”, prokurorët marrin në pyetje Fredi Alizotin për videon e re

schedule18:58 - 11 Tetor, 2018

schedule 18:58 - 11 Tetor, 2018

Prokurorët e dosjes “Babalja” morën në pyetje për tri orë me radhë Fredi Alizotin, personin e dyshuar si aktrues të zërit të Agron Xhafajt. Alizoti dha shpjegime të hollësishmë për video-përgjimin e publikuar në programin “Opinion” duke treguar vendin ku është bërë biseda dhe ka identifikuar bashkëbiseduesin. Ndërkohë Alizoti ankimoi në Apel masën “arrest në burg”.

Pa kaluar 48 orë nga publikimi i video-përgjimit në programin “Opinion” në TVKlan ku shfaqej Fredi Alizoti, personi i dyshuar si aktrues i zërit të Agron Xhafajt, ai u mor në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda.

Alizoti u përball me prokurorët e dosjes “Babalja” pak pas mesditës të së enjtes në një nga zyrat e Krimeve të Rënda. Për gati 3 orë me radhë, në praninë e avokatit mbrojtës, ai dha shpjegime të hollësishme në lidhje me fakte dhe rrethanat e bisedës në video-përgjim. Në videon e administruar si provë nga Prokuroria, Alizoti pretendonte se në qershor 2018, pasi ishte vetëdeklaruar si aktori i zërit të Agron Xhafajt, ishte shoqëruar për në Prokurorinë e Krimeve nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe se ishte takuar nga deputeti socialist Taulant Balla.

Burime të rezervuara, konfirmuan për “ABC News” se Alizoti pohoi se biseda e regjistruar pa dijeninë e tij është zhvilluar në një bar pranë selisë së Partisë Demokratike.  Ai ka zbardhur edhe identitetin e bashkëbiseduesit dhe faktin se kjo bisedë ishte zhvilluar pas datës 1 qershor 2018, datën kur deklaroi në prokurori se përgjimi Albert Veliu-Agron Xhafaj ishte fals.  Sipas burimeve, Alizoti i ka qëndruar deklarimeve të dhëna më parë për faktin se kishte pranuar oferët e Albert Veliut, Babales, për të bërë zërin e Agron Xhafajt në një audio-përgjim, në këmbim të një shume prej 100 mijë euro.

Në ditët në vijim pritet të thirren në prokurori për të dhënë shpjegime personat e përmendur në deklarimet e Alizotajt. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!