Orlando Rakipi nuk është përjashtuar nga Partia Socialiste, ndonëse babai i tij Aqif Rakipi dhe për rrjedhojë dhe ky i fundit janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gazetarja Erneta Shevroja raporton se në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar nuk është marrë një vendim për përjashtimin e deputetit. Sipas socialistëve përgjegjësia është personale.
Orlando Rakipi ishte surprizë në listën e zgjedhjeve të PS, pasi ai rezultoi një ndër deputetët më të votuar duke thyer herësin, ndërsa pas la figura të rëndësishme në mesin e socialistëve.
Pak ditë më parë babai dhe familja e tij u sanksionuan nga Departamenti i Thesarit. DASH e përshkruan Rakipin si një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. “Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar” thuhet në njoftim, ku shtohet se ish-deputeti ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë. g.v/abcnews.al