Në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” rikthehet një nga dramat më tronditëse të viteve të fundit, “Babai”, vepra e autorit të njohur francez Florian Zeller, që zhyt publikun në labirintin e kujtesës së copëzuar dhe humbjes së realitetit.
Në studion e “ABC e Mëngjesit”, aktorja Adriana Tolka foli për rikthimin e kësaj tragjikomedie të fortë emocionale, një vepër që prek një nga përvojat më universale dhe më të dhimbshme njerëzore: plakjen, demencën dhe lidhjen e brishtë mes prindit dhe fëmijës.
Drama ndjek historinë e André, një burrë në moshë që përballet me rrëshqitjen graduale të realitetit, ndërsa vajza e tij, Ana, lufton ta mbajë të lidhur me botën që ai po e humbet dita-ditës.
Sipas Tolkes, kjo nuk është thjesht një histori mbi demencën, por një dramë jetësore mbi kujtesën, kujdesin dhe dashurinë që mbijeton edhe kur gjithçka tjetër fillon të zbehet. Në thelb, vepra flet për dinjitetin që përpiqet të jetojë edhe në momentet më të brishta të ekzistencës njerëzore.
Aktorja tregon se lidhja e saj me këtë vepër është edhe më e fortë, pasi përveç interpretimit, ajo ka realizuar edhe përkthimin e dramës, duke e përjetuar historinë në dy plane: artistik dhe emocional.
Në skenë, publiku do të shohë një kast të njohur aktorësh: Viktor Zhusti, Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani dhe Adriana Tolka, të cilët sjellin një histori ku humbja dhe dashuria bashkëjetojnë në të njëjtën kohë.
“Babai” do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental në datat 12, 13, 14 dhe 15 shkurt, ora 20:00, duke premtuar një përvojë teatrore që ndjehet thellë.
“Babai” – Drama që të përplas me frikën më njerëzore rikthehet në skenë
schedule12:15 - 10 Shkurt, 2026
schedule 12:15 - 10 Shkurt, 2026
