Sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë një delegacion nga Bashkësia e Bektashinjve, me qendër në Shqipëri, kryesuar nga kryegjyshi, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në fjalën drejtuar atyre, Ati i Shenjtë vuri në dukje marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike dhe Komunitetit Bektashi, duke nënvizuar rëndësinë e tyre në kohën e sotme, plot luftëra e konflikte.
Më tej, shprehu bindjen se bektashinjtë, së bashku me myslimanët e tjerë, me të krishterët dhe me të gjithë besimtarët e Shqipërisë mund të shërbejnë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok, si shembull jo vetëm benda vendit, por edhe më gjerë, duke kontribuar në paqen ndërmjet Lindjes e Perëndimit të botës.
Papa Françesku dhe kreu i bektashinjve shkëmbyen dhuratat dhe nënshkruan së bashku Dokumentin e Abu Dabit për vëllazërimin njerëzor, paqen dhe bashkëjetesën në botë.
Haxhi Dede Brahimaj i foli Atit të Shenjtë për idenë e shtetit bektashi në Shqipëri, sipas modelit të Vatikanit, duke marrë bekimin e Papës për bashkësinë e bektashinjve dhe për gjithë popullin shqiptar. I dhuroi edhe shallin tradional të bektashinjve, të cilin Begoglio e vuri në qafë. Ja teksti i plotë i mesazhit të Papës Françesku…
Njoftimi i plote:
Përshëndetja e Atit të Shenjtë për anëtarët e Delegacionit të ardhur nga Shqipëria, udhëhequr nga Shenjtëria e Tij, Kryegjyshi Edmond Brahimaj
I dashur vëlla, Haxhi Baba Edmond Brahimaj,
Shkëlqesi,
të dashur miq,
i uroj me përzemërsi mirëseardhjen këtij Delegacioni të shquar, që vjen nga Shqipëria dhe, në veçanti, nga Komuniteti Bektashi, si edhe falënderoj Dikasterin për Dialogun Ndërfetar, që e bëri të mundur këtë takim. Sa herë që liderët fetarë bashkohen në frymën e respektit të ndërsjellë dhe impenjohen në favor të kulturës së takimit, përmes dialogut, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit, ripërtërihet dhe konfirmohet shpresa jonë për një botë më të mirë e më të drejtë. Sa shumë ka nevojë koha jonë për një shpresë të tillë!
Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike, Shqipërisë dhe Komunitetit Bektashi janë pasuri për të gjithë ne dhe kam besimin se këto lidhje do të forcohen gjithnjë e më shumë, në shërbim të vëllazërimit e të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve. Në këto kohë të vështira, të gjithë jemi të thirrur ta refuzojmë logjikën e dhunës dhe të mosmarrëveshjes, për të përqafuar atë të takimit, të miqësisë dhe të bashkëpunimit në kërkimin e së mirës së përbashkët. Në fakt, bindjet tona fetare na ndihmojnë t’i përqafojmë më qartë këto vlera themelore, tipike të humanizmit tonë të përbashkët, “duke i dhënë mundësi bashkësisë së zërave të ndryshëm të formojnë një këngë fisnike dhe harmonike” (Letra Enciklike Fratelli tutti, 283).
Në këtë drejtim, mendoj me mirënjohje çastet e shumta të takimit vëllazëror ndërmjet Komunitetit Bektashi dhe Kishës Katolike, si Lutja për Paqen në Ballkan, në vitin 1993 dhe Dita Botërore e Lutjes për Paqen në Asizi, më 2011. Përurimi i Tempullit të Bektashinjve në Tiranë, në vitin 2015, ishte një moment veçanërisht i frytshëm afrimi dhe miqësie.
Jam i bindur se Komuniteti Bektashi, së bashku me myslimanët e tjerë, të krishterët dhe gjithë besimtarët e pranishëm në Shqipëri, mund të shërbejë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok, jo vetëm brenda vendit tuaj, por edhe ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Pavarësisht nga sfidat e së tashmes, dialogu ndërfetar ka një rol unik në ndërtimin e një ardhmërie në pajtim, drejtësi dhe paqe, që popujt e botës e, veçanërisht të rinjtë, e dëshirojnë me zjarr.
Të dashur miq, ju siguroj lutjet dhe bekimin tim për punën tuaj të rëndësishme dhe për gjithë popullin e dashur shqiptar. E ju kërkoj edhe juve favorin që të luteni për mua. Faleminderit.