Azerbajxhani merr rajonin e radhës në Nagorno-Karabakh, pas marrëveshjes me Armeninë

schedule15:16 - 25 Nëntor, 2020

schedule 15:16 - 25 Nëntor, 2020

Forcat e Azerbajxhanit kanë hyrë në distriktin e dytë, nga tre në total sa do t’i dorëzohen Armenisë, në kuadër të marrëveshjes për t’i dhënë fund luftimeve për rajonin e Nagorno-Karabakut. Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit ka thënë se njësitet e ushtrisë së këtij shteti kanë hyrë në Karvachar, sipas marrëveshjes së nënshkruar këtë muaj nga Armenia, Azerbajxhani dhe Rusia. Karvachar, që gjendet në mes të Nagorno-Karabakut dhe Armenisë, ishte planifikuar t’i dorëzohej Azerbajxhanit më 15 nëntor, mirëpo afati i fundit është shtyrë nga autoritetet azerbajxhanase për arsye humanitare.

“Është kompletuar puna për të siguruar lëvizjen e njësiteve tona në këtë drejtim, rrugët e vështira malore janë duke u pastruar nga minat dhe janë duke u përgatitur për shfrytëzim”, ka thënë ministria përmes një deklarate. Armenia është pajtuar për të dorëzuar tri rajone – Agdam, Karvachar, dhe Lachin – që kanë qenë për afro tri dekada nën kontrollin armen, pas marrëveshjes së nënshkruar që i ka dhënë fund konfliktit ushtarak për rajonin e Nagorno-Karabakut. Agdam është dorëzuar më 20 nëntor, derisa Lachin do të dorëzohet më 1 dhjetor.

Zbatimi i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia është diskutuar gjatë bisedave telefonike  me presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe kryeministrit armen, Nikol Pashinian, ka thënë Kremlini më 24 nëntor. Të tre liderët kanë diskutuar edhe për ndihmën humanitare për njerëzit e Nagorno-Karabakut dhe çështjet ekonomike, ashtu sikurse edhe zhbllokimin e komunikimeve për transport në këtë rajon, ka thënë po ashtu Kremlini përmes një deklarate.

Nagorno-Karabak njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por shumica e popullsisë së saj armene ka qeverisur këtë rajon prej kur trupat dhe civilët azerbajxhanas u dëbuan nga rajoni në luftën e viteve 1990./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!