Në një intervistë për mediat italiane Komisioneri Europian për emigracionin Dimitris Avramopulos deklaroi se mbyllja e kufijve për emigrantët mund të ketë një efekt domino.
Sfida e flukseve të emigrantëve, bashkëpunimi mes vendeve europiane si dhe një takim me Mateo Salvinin, ishin temat kryesore të intervistës së dhënë për mediat italiane nga komisioneri europian për emigracionin Dimitris Avramopulos. Ndër të tjera ai u shpreh se që në fillim të krizës së emigrantëve Bashkimi Europian u përpoq të ketë një qasje solidare për të gjetur një zgjidhje. Sipas tij tre vitet e fundit është bërë një puën e mirë pasi flukset janë reduktuar. Vendet në linjë të parë si Italia dhe Greqia janë mbështetur për tu përballur me këtë temë edhe pse mbetet shumë për të bërë shtoi ai. Por Avramopulos këmbëngul se kriza e emigrantëve tashmë është transformuar në një krizë politike brenda europës dhe shteteve anëtare.
Komisionerik europian për emigracionin u shpreh se do të dëshironte të takohej sa më shpejt me ministrin e brendshëm Italian Salvini për të bashkëpunuar. Ai tha se të gjithë politikanët në Itali dhe Greqi janë patriot por kanë një detyrë: të mbajnë në këmbë projektin europian dhe ta shpëtojnë atë.
Ai këmbënguli mbi rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjitha shteteve përndryshe mbyllja e kufijve do të kishte një efekt domino në Europë. “Gjermania mbyll kufijtë me Austrinë, dhe Austria me Italinë. Nëse kufijtë do të vazhdojnë të mbyllen europa do të kthehet në të kaluarën. Lufta e dytë botërore nisi pikërisht për një problem kufijsh dhe brezat e rinj nuk duhet të nënvlerësojnë asnjë fakt”, përfundoi ai. /abcnews.al