Avokatja: Jakup Krasniqi nuk po ndjehet mirë

schedule13:20 - 13 Prill, 2023

schedule 13:20 - 13 Prill, 2023

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Jakup Krasniqi, i cili po gjykohet në Hagë, nuk është ndjerë mirë gjatë seancës në të cilën po intervistohet dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Kështu ka thënë avokatja e tij, Venkateswari Alagendra, e cila e ka paralajmëruar turpin gjykues se mund të ketë nevojë që ai të largohet nga salla.

“Zotëri Krasniqi nuk ndjehet shumë mirë për momentin, mendoj se mund të qëndrojë edhe pak por do të na thotë nëse ka nevojë të largohet dhe nëse na lejohet që të largohet”, ka thënë avokatja e Krasniqit.

Në gjykatore po intervistohet dëshmitarja e parë e ZPS-së dhe seanca po zhvillohet e mbyllur për publikun. Kjo është dita e tretë e dëshmisë së saj në seancë private.

Ndërsa në fillim të seancës, avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts ka kërkuar që të regjistrohet si provë një kallëzim penal i cili sipas tij është diskutuar në seancën e djeshme.

Këtë nuk e ka kundërshtuar prokuroria dhe trupi gjykues e ka pranuar si provë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po marrin pjesë fizikisht në sallë ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!