Avokati i Thaçit: Shpresojmë të tregojmë ndershmërinë dhe sjellim lirimin e tij

schedule15:21 - 31 Mars, 2023

schedule 15:21 - 31 Mars, 2023

Gregory Kehoe, avokat amerikan në ekipin mbrojtës të ish presidentit Hashim Thaçi, tha se prokurorëve do t’u jepen dy vjet kohë për të përfunduar paraqitjen e provave.

“Ky njeri sakrifikoi gjatë gjithë këtyre viteve dhe shpresojmë se ne do të jemi në gjendje ta nxjerrim atë në sallën e gjyqit dhe të tregojmë se ai ishte një njeri i ndershëm, i sinqertë dhe të sjellim lirimin e tij”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.

Pasi sjell në vëmendje të kaluarën e Thaçit si ish pjesëtar i UÇK-së, pastaj si politikan e më vonë si kryeministër e president, agjencia Reuteres raporton se përpara gjykimit, në të gjithë vendin e vogël ballkanik mund të shihen  billborde me fotot e Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli me mbishkrimin “Heronjtë e Luftës dhe Paqes”.

Reuters raporton se veteranët e luftës dhe grupet e tjera nacionaliste të Kosovës paralajmëruan një protestë në mbështetje të ish-të pandehurve të UÇK-së për të dielën.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Holandë dhe me staf nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, u krijuan në vitin 2015 për të trajtuar rastet sipas ligjit të Kosovës kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Shumë shqiptarë të Kosovës besojnë se gjykata është e njëanshme kundër UÇK-së dhe e interesuar të denigrojë të kaluarën e saj. Por Ehat Miftaraj nga Instituti joqeveritar i Kosovës për Drejtësi tha se gjykimi duhet të kuptohet si një rast “kundër disa individëve të ish-UÇK-së dhe jo një gjyq kundër UÇK-së apo vlerave që përfaqëson populli i Kosovës”.

Gjykata u krijua veçmas nga ish-tribunali i OKB-së për ish-Jugosllavinë, e cila ndodhej gjithashtu në Hagë, ku gjykoi dhe dënoi kryesisht zyrtarë serbë për krime lufte të kryera në konfliktet e Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës.

Kosova ka miratuar legjislacionin për të paguar avokatët – kosovarë dhe të huaj – për mbrojtjen e Thaçit dhe kolegëve të tij, dhe 16 milionë euro deri më tani kanë shkuar në fondin e tyre të mbrojtjes.

Më shumë se 13,000 njerëz, shumica e tyre shqiptarë të Kosovës, besohet se kanë vdekur gjatë luftës së viteve 1998-99, kur ajo ishte ende një provincë e Serbisë nën presidentin e atëhershëm Sllobodan Millosheviç.

Millosheviçi doli në gjyq para një gjykate të veçantë të OKB-së në Hagë për krime lufte kundër shqiptarëve të Kosovës në konflikt, por ai vdiq në vitin 2006 përpara se të merrej një vendim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!