“50 arka minus në kontejnerin me banane”, Gjykata merr vendimin për 20 të arrestuarit

schedule12:55 - 19 Korrik, 2022

schedule 12:55 - 19 Korrik, 2022

Në gjykatën e Durrësit u zhvillua sot (19 korrik)  seanca e masave të sigurisë për punonjësit e sigurisë të arrestuar në port,  ku u konstatua 1 kontejner me banane i hapur.

Lexo edhe: Çfarë ndodhi me arkat e bananeve në Durrës? Përfundon këqyrja e kamerave të sigurisë në port

Me kërkesë të dy avokatëve të personave të arrestuar në flagrancë, ata kërkuan kohë për t’u njohur me aktet. Seanca u shty me 60 minuta, dhe rifilloi sërish në orën 10:30.

Për 7  persona prokuroria kërkoi burg për shpërdorim detyre.  Për 3 persona ka kërkuar burg për kontrabandë me mallra. Për personat e tjerë  detyrim paraqitje dhe pezullim nga detyra.

Gjykata ka vendosur të lërë në burg 9 prej të arrestuarve, ndërsa 11 prej tyre do të hetohen në gjendje të lirë.

Kujt i përkiste kompania

Më 16 Korrik në Portin e Durrësit policia zbuloi se në një ngarkesë me banane të ardhura nga Amerika Latine mungonin 50 arka, të cilat dyshohet se mund të kenë pasur lëndë narkotike.

Si rrjedhojë policia arrestoi 20 punonjësit e sigurisë portuale për shpërdorim detyre.

Abc mëson se kompania “Zico Sh.p.k”, e biznesmenit të bananeve Trifon Murataj, ka qenë kompania që ka porositur ngarkesën nga Amerika Latine.

Burime për Abc mësojnë se agjentët e shitjeve të kësaj kompanie Nazmi Algjata dhe Altin Muhametaj kanë mohuar të kenë lidhje me hapjen e kontejnerit duke deklaruar se e gjithë porosia është bërë online.

“Gjithçka është bërë online, s’kemi pasur kontakt fizik me kontejnerin. Si mund te kemi hapur kontejnerin ne?! Nëse do ta kishim konstatuar ne kontejnerin e hapur do ta kishim raportuar ne, sepse neve mbajmë përgjegjësi për ngarkesën. Nëse kemi porosi kur kaq ton banane dhe në magazinë mbërrijnë më pak si e justifikojmë ne?! S’kemi asnjë lidhje me këtë pune”, kanë deklaruar përfaqësuesit e kompanisë “Ziko”.

Kontejneri ka mbërritur më datë 8 korrik ( 10 ditë më parë) në portin e Durrësit.

Ndërkohë Prokuroria ka deklaruar se po ekzaminon filmimet (mbi 200 orë filmime) e kamerave te sigurisë./abcnews.al/

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!