Avokatët e Korçës kanë vendosur sot për bojkotin 2 ditor të seancave të masave të sigurisë, por siç mësohet nuk ka pasur asnjë seancë të tillë të planifikuar për sot.
“Sot kemi filluar bojkotin 2 ditor për masat e sigurisë, që nënkupton që asnjë avokat nuk do të paraqitet pranë organeve të ndjekies penale, polici, prokurori apo qoftë edhe në gjykatë. Kjo nënkupton që nuk do ofrohet asnjë ndihmë juridike për asnjë të arrestuar apo të ndaluar dhe nuk do të ketë asnjë avokat në seancat e masës së sigurisë”, ka thënë kreu i Dhomës së Avokatisë, Arben Lena, ndërkohë, gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka njoftuar që këtë të premte nuk është planifikuar asnjë masë sigurie.
“Nga ana e gjykatës jetojmë një vend ku çuditë s’kanë të sosur, mund të procedohet në çdo lloj mënyre por nga ana ligjore është taksative që asnjë masë nuk mund të zhvillohet pa praninë e përfaqësuesit ligjor. Nuk kam informacion nëse ka masa ose jo ne kemi dërguar njoftimin që pardje kemi lënë një afat 24 orë për paralajmërimin e kësaj situate sepse masat mund të paraqiten edhe brenda ditës dhe caktohen brenda ditës. Ligji nuk parashikon asnjë masë për avokatët, qoftë ligji për avokatinë qoftë kodi i procedurës penale nuk ka asnjë lloj mase për avokatët. Ligji parashikon masa për avokatët vetëm kur nuk i binden vendimeve të dhomës kombëtare të avokatisë. Është tërhequr lista e gadishmërisë për këto dy ditë nga dhoma e avokatisë, këto janë vendime kolegjiale”, ka thënë Lena.