Valsi i fundit për Avokatin e Popullit.
Kuvendi do të mblidhet të enjten në seancë plenare për të zyrtarizuar skemën e dakordësuar mes demokratëve dhe socialistëve për avokatin e ri të popullit, një proces që ka mbetur i bllokuar prej 3 vitesh.
Tashmë precedenti është krijuar. Një javë më parë, me firmat e demokratëve dhe votat e socialistëve, ish-kryetarja e Kuvendit, Lefteri Luzi, u zgjodh Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Dhe mesa duket, kësaj radhe pakti është për Endri Shabanin, i cili po shkon drejt votimit me mbështetjen e disa deputetëve demokratë.
Këta të fundit, pasi i hapën rrugën për karrigen e Avokatit të Popullit, tërhoqën firmat për të dhe për pesë kandidatët e tjerë. Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit duhen 84 vota. Shumica siguron se të gjithë deputetët e saj do të jenë të pranishëm të enjten.
Në seancë do të marrin pjesë edhe tre deputetët e PSD-së, edhe pse ende thonë se nuk kanë një direktivë se kë do të mbështesin. Megjithatë, edhe mundësia për mbështetje ekziston, pasi Kapri e ka mbështetur me firmë Endri Shabanin.
Berisha me grupin e tij do të bojkotojnë votimin, në respekt të kandidatëve demokratë, si Besim Ndregjoni e Adriana Kalaja, të cilët—siç thuhet—“dolën nga loja pa filluar akoma”. Berisha ka pranuar gabimin e dhënies së firmave për Endri Shabanin. Sipas tij, ai besonte se Shabani ishte opozitar i djathtë, por…“Por kjo erdhi krejtësisht nga një qëndrim i PS-së, e cila kishte qëllim që të dilte tek opozita që donte. Ata operojnë me opozitën që duan, por opozitën që duan nuk e pranon kurrë PD-ja. Opozitën që duan e ka Edi Rama tani; kjo është platforma e tij.”
Megjithëse votat nuk do të dalin nga kartoni, ato do të zbulohen nga pjesëmarrja. Por tradhtarët e mundshëm do të kenë një avantazh: Avokati i Popullit do të votohet me votim të fshehtë dhe, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë kohore, votimi pritet të zhvillohet në mesnatë. Shumë vonë për një ditë ku vëmendja do të jetë më shumë te emri i drejtuesit të ri të SPAK sesa te Avokati i Popullit.

