Tashmë gjithçka është vulosur. Emanuel Egbo nuk është më trajneri i Prishtinës, me klubin kryeqytetas që ka njoftuar pasditen e kësaj të diele mbylljen e bashkëpunimit me teknikun, i cili ishte ulur në tetor në pankinën e kësaj skuadre.
Egbo udhëhoqi ekipin deri në ndeshjen e fundit, finalen e Kupës së Kosovës, por pa mundur ta fitonte atë, duke bërë që skuadra të mbetej jashtë Kupave të Europës në këtë edicion dhe për këtë aryse “Bardheblutë” e Prishtinës ka vendosur që të mos vazhdojë bashkëpunimin me të, duke mos rinovuar kontratën. /i.m /abcnews.al
Njoftimi i plot i klubit të Prishtinës:
Falënderojmë për punën e deritanishme të kryetrajnerit, Emannuel Egbo dhe trajnerit, Eldiano Topi me të cilët ka përfunduar afati kohor i marrëveshjes dhe FC Prishtina, futbollistët dhe i tërë stafi u dëshiron sukses në vazhdim të karrierës.
Kryetrajneri Egbo, ka udhëhequr ekipin nga fundi i muajit tetor dhe ka regjistruar 33 ndeshje zyrtare (14 fitore, 10 barazime dhe 9 humbje, 41:25) duke u renditur të 5-të në klasifikim dhe duke arritur deri në finale të Kupës.