Avdullah Hoti: Do të bëjmë detyrat tona deri në formimin e qeverisë së re

schedule15:07 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 15:07 - 22 Dhjetor, 2020

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka reaguar sot për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Në një konferencë për mediat Hoti ka pranuar këtë vendim dhe tha se qeveria do të jetë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.

Po ashtu Hoti ka kërkuar që të mos shpërndahet Kuvendi deri në miratimin e buxhetit të vitit 2021.

“Më vjen mirë që gjykata e ka sqaruar edhe faktin që ky aktgjykim nuk mund të ketë veprim prapaveprues. Qeveria mbetet në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Është obligim që të shpallet data e zgjedhjeve. Ne do t’i kryejmë detyrat tona. Dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët dhe partnerët tanë se do të jemi në krye të detyrës për t’u marrë me obligimet që kemi karshi qytetarëve të vendit, sidomos karshi pandemisë për të cilën kemi bërë punë të mira. Para kemi një punë të rëndësishme. Unë bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti 2021”, tha Hoti.

I pyetur nëse do të kandidojë sërish për kryeministër, Hoti tha: “Do diskutoj brenda strukturave të partisë për të bërë përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet, jemi në pozicion të mirë duke pasur parasysh të arriturat e kësaj qeverie këto muaj”. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!