Avantazhet e pensioneve private/ Ekspertët: Ja arsyet se pse duhet zgjedhur kjo formë kursimi

schedule20:37 - 11 Tetor, 2024

schedule 20:37 - 11 Tetor, 2024

TIRANË- Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News u diskutua rëndësia e pensioneve private dhe pse individët duhet ta shohin si një mundësi të mirë për kursimet e tyre.

⁠Elton Korbi nga Albsig Invest dhe President i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve (SHSJPFI) tha se janë katër kompani, të cilat janë të licencuara për të ofruar një shërbim të tillë në Shqipëri.

Ai theksoi se aktualisht janë 41 mijë anëtarë në këtë fond.  Gjatë diskutimit në panel, z. Korbi shtoi se kjo formë kursimesh ka një normë të mirë kthimi.

“Janë katër kompani, që jemi këtu prezente, të cilat janë të licencuara. Deri në qershor të 2024, janë 41 mijë anëtarë në fondet tona me një rritje 8% krahasuar me fillimin e vitit. Janë 7.2 miliardë asete neto nën administrimin tonë. Kemi një rritje prej 8%. Fondet tona investohen dhe kanë një kthim të mirë. Në çdo një lek, ti merr mbi 3 %. Kursimet duhet të fillojnë sa më herët, për shkak të kohës së kursimit dhe vlerës së ulët kur jeni të rinj”, tha ai.

⁠Gjatë diskutimit, Edmond Koçi nga Sigal Uniqa Invest u shpreh se çdokush mund të kursejë dhe pensionin privat mund ta shohë si një “zgjidhje të mençur” dhe si një të ardhur shtesë, në moshën e pensionit.

“Pensioni privat është një formë kursimi dhe çdo individ i punësuar apo i vetëpunësuar duhet të nisë fondin e kursimit për një pension privat, edhe një person me të ardhura minimale ka mundësi të kursejë diçka. Dikush që e nis, duhet të informohet se çfarë produkti po merr. Ta supozojmë se e nis pensionin 25 vjeç dhe deri sa të bëhet 65 vjeç, ai ka një marrëdhëniet me ne, një avantazh shumë i rëndësishëm është norma e kthimit që është goxha konkurruese me tregun dhe e merr çdo ditë në llogari”, tha ai./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!