Interesi i lexuesve për librat e shtypur vitet e fundit ka rënë tepër, kjo pasi avancimi i teknologjisë ndikuar shumë.
E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, studiuesja dhe punonjësja prej 25 vitesh në Bibliotekën Kombëtare, Odeta Mema, ka thënë se biblioteka është ajo që duhet të tërheq sa më shumë lexues në forma të ndryshme, si për shembull duke krijuar një klub libri.
Megjithatë, ajo ka theksuar se shumë lexues e shohin dhe si zgjedhje pa kosto leximin online, pasi librat kushtojnë.
“Unë them që biblioteka duhet të bëjë më shumë përpjekje për të ftuar përdoruesit, për të lexuar, sepse biblioteka nuk është vetëm një vend ku mund të marrësh një libër për ta lexuar, por është dhe një vend ku krijohen bashkësi, klube libri, që mund të flasin për libra të ndryshëm, për tema të ndryshme. Edhe në të gjitha këto unë them që iniciatore duhet të jenë bibliotekat.
Bibliotekat tashmë janë hibride, ekzistojnë format elektronike, por janë patjetër edhe librat, janë hartat që studiohen.
Mos të harrojmë diçka, librat janë dhe të kushtueshëm. Dikush nuk mund t’i blejë dhe mund t’i gjejë online, ose mund t’i marri dhe në një bibliotekë, por bibliotekat jo të gjitha pasurohen me botimet më të reja. Pra, ka dhe të tilla çështje. Bibliotekat jo gjithmonë kanë një buxhet shumë të lartë për të bërë blerjet, dhuratat janë nga filantropë apo institucionet”, tha Mema./abcnews.al