“Nuk do të ketë siguri apo stabilitet në Lindjen e Mesme pa krijimin e një shteti të pavarur palestinez”.
Kështu u shpreh një zëdhënës i presidentit të Autoritetit Palestinez, në përgjigje të hedhjes poshtë të idesë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, shkruan CNN.
Netanyahu të enjten tha se ideja e krijimit të një shteti palestinez do të binte ndesh me sigurinë e Izraelit – vërejtje në kundërshtim me qëndrimin e shumë vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
“I gjithë rajoni është në prag të një shpërthimi vullkanik,” tha zëdhënësi i PA Nabil Abu Rudeineh, sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, duke shtuar se vërejtjet e Netanyahut tregojnë se qeveria izraelite është “e vendosur të shtyjë të gjithë rajonin në humnerë”.
Rudeineh pretendoi gjithashtu se SHBA-ja “mbart përgjegjësinë për përkeqësimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon për shkak të paragjykimeve dhe mbështetjes së verbër për pushtimin izraelit.”/abcnews.al