Vdekja e 23 të moshuarve norvegjez nuk kishte lidhje me vaksinën Pfizer/ BioNTech. Kështu ka deklaruar Autoriteti i Shëndetit Publik Norvegjez.
Në një raport ata rekomanduan një vlerësim mjekësor para vaksinimit të të moshuarve, sidomos të atyre të cilët ishin të dobët fizikisht.
Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në fund të dhjetorit, vendi skandinav ka regjistruar 33 vdekje të personave të moshuar që morën një dozë të parë.
Midis 13 rasteve të studiuara më nga afër deri më tani, “të gjithë këta janë njerëz që ishin shumë të moshuar, të dobët dhe vuanin nga sëmundje të rënda”, tha drejtoresha e autoritetit të shëndetit publik norvegjez, Camilla Stoltenberg.
Autoriteti norvegjez i ilaçeve ngriti shqetësime në fund të javës së kaluar duke pretenduar se efektet anësore të vaksinave, të tilla si ethet dhe të përzierat, mund të kenë kontribuar në një rezultat fatal në disa pacientë të sëmurë.
Disa vende kanë raportuar vdekje pas vaksinimit, por autoritetet shëndetësore besojnë se nuk mund të bëhet asnjë lidhje me vaksinën.