Komisioni Europian ka marrë masa të reja ndaj vendeve lindore të bllokut që kanë rritur autoritarizmin politik ndaj gjyqësorit. Në shënjestër të masave janë Polonia dhe Rumania, që sipas Brukselit kanë bërë hapa prapa në reformat për sundimin e ligjit.
Komisioni Europian njoftoi të mërkurën marrjen e masave të reja ndaj Polonisë dhe Rumanisë, për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit në këto vende. Konkretisht, Komisioni ka marrë masa ligjore ndaj Polonisë, ndërsa Rumanisë i ka bërë thirrje që të mos i falë politikanët e korruptuar.
KE po përpiqet kështu t’i përgjigjet atij fenomeni që në Perëndim shihet si rritje e autoritarizmit në krahun lindor të bllokut europian, kryesisht në Poloni, Hungari dhe Rumani. Zëvendës presidenti i parë i Komisionit, Frans Timermans ka deklaruar se më shumë duhet bërë për të përforcuar sundimin e ligjit në mbarë BE-në.
“Kapacitetet e Unionit për të ruajtur sundimin e ligjit janë jetike tani më shumë se kurrë”, ka deklaruar Timermans në një konferencë shtypi. Ai ka saktësuar se ndaj Polonisë është ndërmarrë një procedurë për shkak të regjimit të rreptë ndaj gjyqtarëve të sjellë nga qeveria e krahut të djathtë në Varshavë.
Ndërsa Rumanisë i është bërë vetëm një apel që të mos bëjë hapa prapa në reformat e gjyqësorit. Partia në pushtet në Poloni, që mban dhe emrin Ligj dhe Drejtësi, ka bërë një seri ndryshimesh në gjyqësor që kur mori pushtetin në fund të vitit 2015. Ato parashikojnë që gjyqtarët t’i nënshtrohen një hetimi disiplinor nëse autoritetet politike i konsiderojnë vendimet e tyre të papërshtatshme. /abcnews.al