Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Vlorës lidhur me plagosjen e 29 vjeçarit Sildi Velaj, mbrëmjen e së dielës në Orikum.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë autori i plagosjes Qerim Bello, ndërsa personi I dytë I implikuar, dyshohet se ka ndihmuar autorin të largohet nga vendngjarja.
Të dy të rinjtë kanë qenë më një automjet tip Golf 5. Qerim Bello është futur në ambientet e barit të karburantit dhe ka qëlluar me armë zjarri pistoletë disa herë dhe më pas është larguar me shpejtësi në makinën që po e priste jashtë.
Burime të grupit hetimor sqarojnë se plagosja është zbardhur plotësisht dhe po punohet për arrestimin e autorëve.
Plagosja u regjistrua rreth orës 20 mbrëmjen e së dielës ku i plagosur rëndë mbeti Sildi Velaj. 10 plumba pistolete u derdhën në drejtim të të riut, ndërkohë që 4 plumba e kanë prekur. Pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Vlorës, ai u transportua drejt Traumës në Tiranë.
E gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të mbartur mes të dy të rinjve, ndërkohë që policia vijon me kontrolle për kapjen e autorëve./abcnews.al