Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e ndodhur mesditën e kësaj të mërkure në Shëngjin, ku mbeti i vdekur 50-vjeçari Ardian Nikulaj.
Gazetari Ermal Vija raportoi se hetuesit kanë dyshime se i përfshirë në këtë ngjarje ishte vetëm një person, ai i cili kreu edhe ekzekutimin, duke qëlluar 7 herë në drejtim të Nikulajt.
Sipas hetuesve, autori mbërriti i vetëm në lokalin e Nikulajt me motor dhe më pas u largua sërish vetëm, ku dyshohet se më pas ai është larguar drejt Shkodrës.
“Sa i takon dinamikës së ngjarjes, autori i cili ka qëlluar të paktën 7 herë në drejtim të Ardian Nikulajt, ka ardhur i vetëm fillimisht me një motor, me një jelek jeshil fosforeshent. Hetuesit kanë dyshime se autori ka mirëstudiuar të gjitha lëvizjet e viktimës. Ai ka hyrë qetësisht në ambientet e lokalit, në pronësi të 50 -vjeçarit. Pasi ka kryer ekzekutimin, sërish ka dalë i qetë nga ambientet e lokalit. Është larguar me një mjet tip motor, me të cilin është afruar fillimisht rreth orës 13:30. Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, lokali ka qenë pothuajse i boshatisur. Ka qenë stafi i lokalit që janë marrë në pyetje nga hetuesit e ngjarjes. Kanë sekuestruar kamerat e sigurisë ku mund të ketë lëvizur autori, i cili dyshohet se ka ardhur nga rruga që lidh Shëngjinin me rrugët e tjera nacionale tëzonës.
Dyshimet janë që autori, pasi ka mbërritur në ambientet e hotelit, ku ka kryer ekzekutimin, është larguar drejt Shkodrës. Deri në këtë fazë, nuk kemi të dhëna të tjera sa i takon autorit. Në momentin që ka kryer ekzekutimin, hetuesit janë të bindur se ai ka qenë i vetëm, nuk shoqërohej nga persona të tjerë. Ka mbërritur i vetëm me një motor, ka kryer ekzekutimin dhe sërish është larguar i vetëm”, raportoi gazetari Vija./abcnews.al