Autorët u vetëdorëzuan në polici, dalin detaje të reja nga vrasja e shqiptarit në Itali

schedule14:24 - 3 Gusht, 2018

schedule 14:24 - 3 Gusht, 2018

Dy autorët e dyshuar të vrasjes së shqiptarit Viktorjan Picaku iu dorëzuan autoriteteve italiane rreth orës 22:00 të së enjtes. Ata janë dy italianët Domenico Manzi, 21 vjeç dhe Domenico Patruno, 29 vjeç. Të rinjtë iu vetëdorëzuan hetuesve pas disa orësh arrati.

Ndërkohë, detaje të tjera janë bërë publike nga mediat italiane pas dorëzimit të tyre në polici. Shkaku i vrasjes së Picakut mësohet se është bërë një sherr që ka ndodhur midis tyre disa netë më parë.

Personi që ka shkrepur armën drejt Picakut ka qenë 21-vjeçari Domenico Manzi. Ai ka pasur me vete edhe një shkop beizbolli. Kushëriri i tij, Domenico Patruno, 29 vjeç ka qenë në drejtimin e motorit Vespa dhe është takuar me vrasësin në sheshin Abbazia.

Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga policia, viktima është kontaktuar me telefon disa orë para vrasjes nga Manzi, por ky i fundit e mohon këtë gjë.

Sipas mediave italiane, ky fakt dhe arsyeja kryesore e vrasjes pritet të sqarohet në vijim nga hetuesit. Sherri i disa ditëve më parë midis Picakut dhe Manzit e Patrunos dyshohet se ka ndodhur për shkak të një vajze, por prokurorët nuk përjashtojnë se mund të ketë edhe arsye të tjera.

Përndryshe, sipas tyre, në sherr do të merrnin pjesë edhe bashkëatdhetarë të tjerë të viktimës.

Mbrëmjen e 1 Gushtit dy autorët e akuzuar, tashmë në polici, vranë Viktorjan Picakun, 24 vjeç nga Mirdita. Ata lëvizën me një motor “Vespa” të zi dhe e qëlluan të paktën katër herë Picakun në sheshin “Abbazia” në Corato në një ngjarje ku dëshmitarë kanë qenë shumë njerëz.

Të enjten familjarët e tij thanë se disa ditë më parë, ai kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë pasi po dhunohej nga një italian. Ata thanë se ky fakt mesa duket nuk ishte pranuar nga italiani, i cili mbrëmjen e së mërkurës mori hak ndaj të riut, duke i marrë atij jetën.

Picaku nuk kishte gjithashtu precedentë të mëparshëm penalë. Ai kishte vetëm një vit që kishte shkuar në Itali për të punuar për një jetë më të mirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!