“Autorët gjithmonë janë larguar…”, Ervin Karanxha: Të ndryshohet tërësisht kontrolli mbi territorin

schedule21:57 - 21 Prill, 2025

schedule 21:57 - 21 Prill, 2025

Atentati në Lezhë dhe ai në Lundër ku mbetën të plagosur katër pasona mes tyre dhe dy të mitur, të cilët për shkak të plagëve të marra janë dërguar jashtë vendit për të marrë kujdes mjekësor më të specializuar ka tronditur mbarë opinion publik. Duket se grupet e krimit kanë akoma “haqe” pa larë dhe jetë për të marrë, por mes tyre për fat të keq janë marrë jetë të përgjakshme.

Megjithëse se autoritet janë duke hetuar në tre pista kryesore, dyshime të forta ka se atentati në Lundër është një ngatërrim i objektivit. I ftuar në emisionin “360 Gradë” ish-prokurori Ervin Karanxha tha se krimi pavarësisht hakmarrjes kurrë nuk ka përfshirë fëmijë në konflikt prandaj ai e thotë me bindje se kjo mund të jetë një ngatërresë.

“Ne shohim kohët e fundit që personat duan që të marrin hak ndaj një hasmi dhe gjithmonë kemi pasoja të personave të tretë që nuk kanë lidhje me ngjarjen. Kemi rastin në “Don Bosko” që u vra një grua. Kemi dy persona të therë që u vranë burrë e grua në ngjarjen e Shkodër. Kemi edhe këtu që për mendimin tim tek atentati i dytë kemi të bëjmë me një ngatërrim.

Edhe sikur të kishin hasmëri me babain e tyre nuk ma merr mendja që çfarëdolloj gjëje që të kishin, nuk ka arritur krimi shqiptar që të merret me fëmijën 11 vjeç. Ajo është një shënjestër e gabuar. Çdo kriminel shqiptar sado hasmëri dhe sado i ashpër të jetë me fëmijën 11 vjeç nuk do merrej. Mendoj që kemi të bëjmë me një ngatërrim objektivi. Dhe “G Classi”, që kanë pasur, ka pasur shumë “Benza” të tillë në Tiranë, dhe në zonën e Lundrës dhe shumë lehtësisht mund të ngatërrohen, plus edhe xhamat e zinj. Mendoj se kemi të bëjmë me një ngatërrim”, tha Ervin Karanxha.

Ai u ndal edhe tek kontrolli mbi territorin e Republikës së Shqipërisë. Ervin Karanxha tha se Policia e Shtetit duhet të vendosë më shumë kamera në kryqëzime dhe të ketë qendra operative. Sipas tij prokuroria prej kohësh nuk ka qenë në ndjekje ndonjë autori kriminal, për të parandaluar një ngjarje të mundshme, ose pas një krimi të arrijë të prangosë autorët.

“Tani le të ndalemi tek parandalimi, Policia e Shtetit duhet të bëjë një ndryshim total të kontrollit të territorit të shtetit në Republikën e Shqipërisë. Duhet të ketë një numër më të madh të kamerave në kryqëzime dhe të ketë qendra operative. Kemi kohë që nuk shohim që në ngjarje të tilla që policia të ndjekë autorët, kemi të njëjtin mekanizëm, autorët kanë ikur”, përfundoi ish-prokurori./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!