Australia në mëshirën e motit

schedule19:19 - 3 Shkurt, 2019

schedule 19:19 - 3 Shkurt, 2019

Australia është ndarë në dysh nga moti përvëlues në jug të vendit dhe i lagësht në veri. Sezoni i shirave këtë vit ka arritur nivele të paprecedenta duke shkaktuar një valë përmbytjeje në shtetin Kuinslend, ku autoritetet kanë hapur dyert e digës.

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë një pjesë të Australisë kanë detyruar autoritetet që të paralajmërojnë banorët e qytetit Taunsvill që të ruhen nga përmbytjet masive. Reshjet e rëna në shtetin Kuinslend, ku ndodhet Taunsvill, kanë fryrë nivelin e ujit në digën e lumit Ros, duke detyruar autoritetet të hapin dyert e strukturës.

Ditën e diel, Byroja Meteorologjike e Australisë paralajmëroi njerëzit për rrezikun që u kanoset jetës dhe pronës së tyre, për shkak se ujërat pritet të vërshojnë me një vëllim prej 1.900 metër kub. Sipas autoriteteve, janë rreth 20 mijë shtëpitë që mund të përmbyten.

“Kushtet do të ndryshojnë vazhdimisht dhe me shpejtësi. Qëndroni të informuar, ndiqni përditësimet dhe zbatoni këshillat e shërbimeve të emergjencës”, apeloi Byroja Meteorologjike.

Taunsvill ka përjetuar përgjatë javës reshje të dendura niveli i të cilave ka arritur në 1 metër, kuotë kjo 20 herë më e lartë se mesatarja në këtë periudhë të vitit. Mediat australiane bëjnë të ditur se disa mijëra banorë të zonës janë prekur tashmë nga ujërat dhe shumë banesa kanë mbetur pa energji elektrike.

Shteti i Kuinslendit, në pjesën veriore të Australisë, ka një klimë tropikale dhe nga muaji Dhjetor deri në prill përjeton stinën e shirave. Ndërkohë, pjesa jugore e vendit ndodhet e mbërthyer nga i nxehti rekord, që ka shkaktuar një thatësirë të ashpër./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!