Austin: Angazhimi amerikan ndaj Lindjes së Mesme “i fortë dhe i sigurt”

schedule15:01 - 20 Nëntor, 2021

schedule 15:01 - 20 Nëntor, 2021

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin thotë se “angazhimi i Amerikës për sigurinë në Lindjen e Mesme është i fortë dhe i sigurt”.

Zoti Austin i bëri komentet të shtunën në Dialogun e Manamasë në Bahrein, në një kohë kur zyrtarët e rajonit janë të shqetësuar për angazhimin amerikan, veçanërisht pasi Uashingtoni po kërkon të arrijë një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe në kushtet e tërheqjes dramatike nga Afganistani.

“Por veprimet e Iranit në muajt e fundit nuk kanë qenë inkurajuese — veçanërisht për shkak të zgjerimit të programit bërthamor,” shtoi zoti Austin.

Megjithatë, tha sekretari i mbrojtjes, si “miqtë ashtu edhe kundërshtarët” e kanë të qartë se çfarë kapacitetesh mund të përdorin Shtetet e Bashkuara.

Zoti Austin pohoi gjithashtu të shtunën se Uashingtoni ka të ngjarë të kërkojë një zgjidhje diplomatike sepse në administratën e presidentit Biden, diplomacia është “alternativa e parë”.

Duke cituar ish-presidentin amerikan Dwight Eisenhower, sekretari i mbrojtjes tha se “vetëm armët nuk mund të sjellin paqe të përhershme në botë.”/VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!