AUKUS, pse SHBA-ja duhet ta marrë seriozisht zemërimin e Francës

schedule09:34 - 20 Shtator, 2021

schedule 09:34 - 20 Shtator, 2021

Nga Thibault Muzergues, National Interest

Ditët e fundit kanë treguar se francezët nuk janë aspak të kënaqur me prishjen e njëanshme të një marrëveshjeje me Australinë për shitjen e disa nëndetëseve, e cilësuar prej tyre si “kontrata e shekullit”,  një dëm anësor që buron nga marrëveshja më e madhe AUKUS, e nënshkruar javën e kaluar midis Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara.

Për herë të parë në marrëdhëniet dypalëshe, Parisi e thirri “për konsultime” ambasadorin e tij në Shtetet e Bashkuara, dhe gjuha e përdorur nga diplomatët, ministrat dhe analistët në mediat tradicionale dhe sociale gjatë ditëve të fundit, ishte çdo gjë tjetër veçse jo diplomatike.

E megjithatë, thirrjet për t’u rikthyer tek një neo-golizëm francez 2.0, dhe për të  ri-kalibruar marrëdhëniet e Parisit (dhe Evropës) me Kinën, duhet të merren seriozisht nga Uashingtoni, dhe kjo pasi francezët janë realisht të zemëruar, dhe zotërojnë një potencial shumë shqetësues, për t’ia vështirësuar Amerikës korrjen e fryteve të fitores së saj diplomatike, si në Evropë ashtu edhe në Paqësor.

Dhe jo sepse francezët kanë të drejtë të luajnë rolin e viktimës së zemëruar dhe të pafajshme. Për askënd nuk ishte një sekret (mesa duket përveç Elizesë dhe Ministrisë së Jashtme franceze), që porosia historike e 12 nëndetëseve franceze nga marina australiane, ishte duke u përballur me jo pak vështirësi.

Gazeta e dytë më e madhe në Francë, Le Figaro, kishte paralajmëruar që në qershor të këtij viti, se Australia ishte në kërkim të një plani B. Të gjithë e dinin, se kostot e marrëveshjes po dilnin jashtë kontrollit, dhe se kontrata ishte shndërruar në një problem të brendshëm politik në Australi.

Natyrisht, dilemat e sigurisë për Kanberën kishin ndryshuar me shpejtësi gjatë muajve të fundit, me presionin e madh të Kinës, që impononte pasjen e një marrëdhënie shumë më të ngushtë me Uashingtonin. Të gjithë këta faktorë, duhet të kishin ngritur me kohë kambanat e alarmit në Paris, dhe është e qartë se ato nuk u morën dhe aq seriozisht nga politikanët francezë.

Më e rëndësishmja:Parisi po bën një gabim të madh duke e injoruar panoramën më të gjerë, sipas së cilës aleanca AUKUS,përbën para së gjithash një goditje të fortë për Pekinin dhe politikën e tij të jashtme agresive aktuale.

Edhe pse qasja e tyre është shumë më e butë mbi këtë çështje, Franca dhe Bashkimi Evropian janë po aq të shqetësuara për agresivitetin e Kinës, dhe duhet ta kishin pasur parasysh këtë para se të armiqësonin partnerët (përfshirë ata në Evropë), mbi atë që ishte vetëm një pjesë e një marrëveshjeje shumë më të madhe.

Francezët mund të jenë duke e tepruar me sjelljen e tyre. Megjithatë ata janë të zemëruar për arsye të forta. Së pari, mënyra përmes së cilës u rrëzua marrëveshja e tyre me Australinë, ishte në rastin më të mirë e pakujdesshme.

Franca ka një mëri legjitime ndaj partnerëve të saj australianë mbi mënyrën se si është trajtuar (me pasoja të parashikueshme negative në marrëveshjen tregtare që Australia po negocion aktualisht me BE), dhe ndaj SHBA-së për shpërfilljen e plotë të interesave të saj (sërish kjo do ketë pasoja negative në samiti i ardhshëm të NATO-s,që do të mbahet vitin e ardhshëm në Madrid).

Ndonëse Franca nuk është një fuqi botërore, dhe është sigurisht më pak e rëndësishme për Indo-Paqësorin sesa Australia, potenciali i saj për t’u shkaktuar amerikanëve probleme në Evropë,është shumë real. Ajo është një fuqi rezidente në Paqësor, me 1.6 milion francezë që jetojnë në territoret jashtë shtetit si Kaledonia e Re dhe Polinezia Franceze.

Franca është gjithashtu aleati më i mirë i Amerikës, nëse dëshiron që BE-ja të luajë një rol si aleat në rajon. Sigurisht, nga një perspektivë amerikane, është e lehtë ta cilësosh shkeljen e një kontratë tregtare si një çështje jo shumë të madhe. Por ajo kishte për disa arsye një rëndësi të madhe për francezët.

Së pari, marrëveshja ishte shumë e rëndësishme për industrinë franceze të armatimit. Ajo e ndihmon në ruajtjen e standardeve të larta të ushtrisë franceze, dhe për pasojë e ndihmon Amerikën të luftojë xhihadistët në Sahel pa vendosur atje trupat e veta.

Gjithashtu ajo i jepte mundësinë Francës të sillte një vlerë të shtuar në rajonin e Indo-Paqësorit. Në majin e këtij viti, një flotilje franceze u dërgua në ishullin Kjushu për manovra të përbashkëta me aleatët japonezë, australianë dhe amerikanë.

Dëbimi i francezëve nga ajo që u quajt në Francë si “kontrata e shekullit”, po vë në rrezik pjesë të tëra të industrisë franceze të mbrojtjes, dhe më e rëndësishmja, u jep argumente atyre në Paris që kanë thënë gjithmonë se nuk mund t’u zihet besë anglo-amerikanëve.

Në fakt, një nga pasojat e kësaj ngjarje, është se ajo ka forcuar pozitat e neo-golistëve anti-amerikanë në Ministrinë e Jashtme të Francës. Synimet e tyre janë më se të qarta:të ruajnë distancën e tyre nga aleanca Atlantike. Ata e shohin jo vetëm Francën por edhe Evropën më shumë në një rol balancues midis Lindjes dhe Perëndimit, sesa më pranë Perëndimit.

Një nga argumentet e tyre kryesore, është se cilado qoftë natyra e marrëdhënies, amerikanëve nuk mund t’u besohet asnjëherë, pasi aleancat e tyre kanë gjithnjë standarde të dyfishta. Gjithmonë në krye janë vendet “anglosaksone”, duke i lënë të tjerët si anëtarë të dorës së dytë të aleancës.

Me frikën e një krizë të re refugjatësh nga Afganistani,që mbetet ende e lartë në Evropë, ky  argument është më i fuqishëm nga sa mund të mendohet, aq më tepër pasi nuk del nga hiçi. Ai ka qenë një argument i vazhdueshëm, i zhvilluar nga kundërshtarët e Aleancës Atlantike  që gjatë shekullit të kaluar.

Gjermania naziste e përdori për të pasur mbështetjen e elitës franceze në fillim të viteve 1940. Edhe Bashkimi Sovjetik e përdori sidomos gjatë viteve 1960-1970për të shkaktuar probleme në marrëdhëniet e SHBA-së veçanërisht me Italinë, Gjermaninë dhe Francës.

Dhe nuk ka dyshime se si Rusia ashtu edhe Kina, do të jenë të interesuara që ta përdorin sërish këtë narrativë përkundrejt elitave evropiane, për të mbjellë mosbesim mes aleatëve. Mjerisht,shumë ngjarje gjatë viteve të fundit,kanë shkuar në atë drejtim.

Rreziku për Shtetet e Bashkuara, është se armiqtë e saj do ta përdorin argumentin e AUKUS si një “klub anglo-sakson”, vetëm për të dobësuar partneritetet e tjera të Amerikës në Evropë ose në rajonin e Indo-Paqësorit. Prandaj Amerika duhet ta marrë seriozisht zemërimin e hapur të Francës, dhe të gjejë mënyra për të shmangur transformimin e një fitoreje të madhe strategjike në një gabim afatgjatë, që do të largojë partnerët e tjerë kryesorë.

Dhe Uashingtoni ka disa opsione në dispozicion për ta zgjidhur krizën. E para është të përpiqet ta përfshijë më mirë Parisin në sistemin e bashkëpunimit të Amerikës në Indo-Paqësorin. Por përtej Paqësorit, presidenti Joe Biden duhet të ulet me presidentin francez Emmanuel Macron për të biseduan mbi kuadrin e sigurisë të Evropës.

Deri tani SHBA-ja i ka hedhur poshtë të gjitha diskutimet mbi “autonominë strategjike” evropiane, si një devijim të pakuptimtë dhe të rrezikshëm nga NATO. Në fakt, Uashingtoni mund të jetë më konstruktiv dhe të mbështesë publikisht thirrjet e Francës për autonomi strategjike, me kushtin që ajo të mbetet një mjet që do të synojë të rrisë kapacitetet e NATO-s. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!