Audiopërgjimi i “Babales”, hetim pasuror Agron Xhafajt

schedule15:39 - 24 Maj, 2018

schedule 15:39 - 24 Maj, 2018

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dërguar për ekspertim në një laborator jashtë vendit audiopërgjimin e pretenduar mes Albert Veliut dhe vëllait të ministrit të Brendshëm. Ndërkohë Krimet e Rënda po kryejnë verifikimin pasuror të Agron Xhafajt, bazuar në ligjin “Antimafia”.

Audiopërgjimi i publikuar nga Partia Demokratike si një denoncim ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm do të ekspertohet në një laborator të huaj.

Zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme njoftoi të enjten se materiali është dërguar për ekspertim në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit, por pa saktësuar në cilin vend. Materiali është nisur për ekspertim gati 24 orë pasi Jetmir Olldashi, gazetari që bëri investigimin gjatë të cilit u realizuar përgjimi, dorëzoi në prokurori audiopërgjimin origjinal dhe pajisjen me të cilën ishte realizuar.

Hetimi i rastit nisi pas konferencës për shtyp të bërë nga Partia Demokratike në 14 Maj, ku u pretendua se “Bashkëpuëntori X” i identifikuar më pas si Albert Veliu apo “Babalja”, kishte biseduar me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj, në lidhje me trafikimin e një sasie droge.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda regjistroi procedim penal në 17 Maj për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”. Një ditë më vonë, atij iu bashkua edhe procedimi penal për “kallëzim të rremë”, i nisur në Prokurorinë e Tiranës, bazuar në një kallëzim të bërë nga Agron Xhafaj kundër tre zyrtarëve të PD që bënë denoncimin publik.

Burime zyrtare konfirmuan se janë duke u kryer veprime hetimore të gjithanshme brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur edhe kryerjen e verifikimieve pasurore të Agron Xhafajt, i cili aktualisht mban emrin Geron Xhafaj.

Hetimi pasuror do të bëhet bazuar në ligjin “Antimafia”, për të verifikuar nëse pasuritë e tij apo të familjarëve janë të justifikuara në burime të ligjshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!