Atletja refugjate shkëlqen për Holandën

schedule18:15 - 13 Korrik, 2019

schedule 18:15 - 13 Korrik, 2019

Atletja Sifan Hasan vendos një rekord të ri botëror në garën e miljes, në garën e zhvilluar në Montekarlo. Refugjatja nga Etiopia po shkëlqen me fanellën e Holandës. Ajo sot është 26 vjeç, në kulmin e formës.

Nuk ka qenë gjithnjë kaq bukur për Sifan Hasanin, atleten që përfaqëson Holandën dhe që theu rekordin e miljes ditën e djeshme në mitingun e Ligës së Diamantit në Montekarlo.

Lindur në Etiopi në 1993, ajo e braktisi atdheun si refugjate në 2008-ën, si 15-vjeçare, kuptohet në kërkim të një jete më të mirë.

Iu deshën 5 vjet për të marrë nënshtetësinë holandeze, diçka që iu lehtësua ndoshta edhe nga fakti se ajo ishte atlete e nivelit të lartë.

Që nga ajo kohë, ka fituar 13 medalje ndërkombëtare për Holandën, nga të cilat 7 të arta, 3 të argjendta e 3 bronzi.

Në Montekarlo, Sifan Hasani vendosi rekordin e ri botëror në milje (afërsisht 1 600 metra) me kohën 4’12”33, duke thyer rekordin e famshëm të ruses Svetlana Masterkova, kampione olimpike në vitin 1996 me 4’12”56.

Fillimi I garës nga ana e saj nuk ishte edhe aq i shpejtë, dhe Sifani nuk besoi se mund ta thyente rekordin, por në gjysmën e dytë ishte me më shumë ritëm.

Ajo krijoi pak nga pak diferencë nga rivalja Gudaf Cegai, duke u shkëputur e duke luftuar më pas me veten dhe me rekordin.

Prej vitesh askush nuk I ishte afruar kohës së Masterkovës, por tashmë gjithçka ndryshoi.

Vajza me origjinë nga Etiopia ka thyer edhe rekordin evropian të 3 000 metrave si dhe rekordin evropian të gjysmë maratonës./ABC News Albania 24/7